Vendosni fjalën kyçe....

SHBA i bën thirrje Izraelit të ndryshojë vendimin për sekuestrimin e pajisjeve të “Associated Press”


Zyrtarët izraelitë sekuestruan të martën kamerat dhe pajisjet e transmetimit të agjencisë së lajmeve “The Associated Press”, duke akuzuar atë për shkelje të ligjit të ri për median, duke vënë në dispozicion të televizionit ‘Al Jazeera’, pamjet filmike të tyre, qofshin ato të drejtpërdrejta apo të xhiruara paraprakisht.

Por përmes kanaleve private, Shtetet e Bashkuara kanë nxitur qeverinë izraelite ta kthejë mbrapsht vendimin, sipas dy zyrtarëve amerikane.

Televizioni Al Jazeera, me seli në Katar, është një prej mijëra klientëve të agjencisë së lajmeve “The Associated Press” dhe si i tillë merr transmetimet e drejtpërdrejta të kësaj agjencie dhe të organizatave të tjera mediatike.

“Agjencia “Associated Press” i dënon ashpër veprimet e qeverisë izraelite për të ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë, të cilin e kryejmë prej një kohë të gjatë, duke treguar pamjet e Gazës nga larg dhe sekuestrimin e pajisjeve të AP-së”, deklaroi nën-presidentja e agjencisë Lauren Easton. “Ndërprerja nuk është bazuar në përmbajtjen e transmetimit, por përmes keqpërdorimit të ligjin e ri për mediat e huaja nga qeveria izraelite. Kërkojmë nga autoritetet izraelite t’i kthejnë pajisjet tona dhe ta lejojnë kthimin e transmetimit tonë të drejtpërdrejtë menjëherë në mënyrë që të vazhdojmë të ofrojmë pamje të rëndësishme për gazetarinë mijëra mediave rreth e qark botës”, përcjell VOA.

Të martën pasdite zyrtarë nga Ministria e Komunikimit shkuan në vendndodhjet e AP-së në Sderot dhe sekuestruan pajisjet. Ata i dhanë AP-së një copë letre, të nënshkruar nga Ministri për Komunikim Shlomo Karhi, me pretendimin se ishte shkelur ligji izraelit për mediat e huaja.

“Ministria e Komunikimit do të vazhdojë të ndërmarrë çdo veprim që duhet për të kufizuar transmetimet që cenojnë sigurinë e shtetit,” thuhet në deklaratën e ministrisë.

Më 5 maj, zyrtarët izraelitë përdorën këtë ligj për të mbyllur zyrat e Al Jazeera-s. Ata sekuestruan pajisjet e kanalit televiziv, ndërprenë transmetimin dhe bllokuan faqet e tij të internetit.

Pak para sekuestrimit të pajisjeve të martën, AP-ja po transmetonte një pamje të përgjithshme të pjesës veriore të Gazës. Sipas agjencisë, AP-ja i përmbahet rregullave ushtarake të Izraelit për censurë, që ndalojnë transmetimin e detajeve siç janë lëvizja e trupave që mund të rrezikojnë ushtarët. Transmetimi i drejtpërdrejtë zakonisht tregon tymin mbi territorin e Gazës.

Agjencia e lajmeve ka marrë urdhër verbal për ta ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë të enjten e kaluar, gjë që ka refuzuar ta bëjë.

Udhëheqësi opozitar Yair Lapid e quajti veprimin ndaj AP-së “akt çmendurie”.

“AP nuk është Al Jazeera. Është agjenci amerikane lajmesh”, tha ai. “Kjo qeveri po vepron sikur të ketë vendosur me çdo kusht që Izraeli të izolohet nga e tërë bota”.

Ministri Karhi u përgjigj duke thënë që ligji i miratuar njëzëri nga qeveria thotë se çdo pajisje që përdoret për t’i dërguar përmbajtje Al Jazeera-s, mund të sekuestrohet.