Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me taksën e profesioneve të lira.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Xhixho thekson se taksa e re që qeveria i ka ngarkuar si barrë profesionistëve të lirë po mbyll me detyrim mijëra biznese të vogla.
Sipas saj në QKB janë marrë 3 620 kërkesa për mbyllje biznesi. Ajo shton se informaliteti ka nisur të rritet dhe se 29 mijë biznese të profesioneve të lira preken nga taksimi në masën 15-23%.
REAGIMI I XHIXHOS
TAKSA E DIJES PO MBYLL MIJËRA BIZNESE TË PROFESIONISTËVE TË LIRË
Taksa e re që qeveria i ka ngarkuar si barrë profesionistëve të lirë po mbyll me detyrim mijëra biznese të vogla. Që prej hyrjes në fuqi të kësaj takse, më 1 janar 2024:
QKB ka marrë 3 620 kërkesa për mbyllje biznesi.
Me mijëra biznese të të tjera do të rrisin çmimet, duke e zhvendosur koston e shtuar te qytetarët.
Informaliteti ka nisur të rritet, në përpjekje për t’i shpëtuar gjobës së re, që qeveria u vuri këtyre biznesve duke injoruar zërin e tyre.
Kjo taksë që godet direkt shtresën e mesme dëmton rëndë shoqërinë shqiptare. Mijëra familje humbasin burimin e të ardhurave, ndërsa qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë më shtrenjtë shërbimet e ofruara nga gjithnjë e më pak profesionistë të lirë që mbeten në treg.
29 mijë biznese të profesioneve të lira preken nga taksimi në masën 15-23%
3 miliardë lekë më shumë të ardhura do të shkojnë në arkën e qeverisë nga kjo taksë. Kjo qeveri që krijon lehtësira vetëm për klientët e vet, dënon me faliment bizneset e vogla, që paguajnë rregullisht detyrimet.
Ky ligj, si shumë politika të tjera të qeverisë, i shërben shpopullimit masiv të Shqipërisë.
Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të mbrojë interesat e profesionistëve të lirë, duke anuluar këtë taksë mbi dijen që qeveria e ka gjetur si mekanizëm për të mbushur gropat e krijuara nga korrupsioni.