Vendosni fjalën kyçe....

Lufta për pushtet, çfarë pritet të ndodhë në Iran pas vdekjes së presidentit Raisi


Vdekja e presidentit iranian Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian në një përplasje me helikopter në provincën e Azerbajxhanit Lindor të vendit shkaktoi valë tronditëse në gjithë Iranin dhe Lindjen e Mesme të trazuar, ku përfaqësuesit e Teheranit kanë zgjeruar ndikimin.

Zyrtarët rajonalë dhe analistët politikë po peshojnë ndikimin e rrëzimit në procesin e vendimmarrjes së brendshme të Iranit dhe politikën e tij të jashtme, me disa që kanë frikë se Garda Revolucionare (IRGC) e fuqishme do kthehet për të ushtruar më shumë pushtet.

Vëzhguesit iranianë kanë vënë në dukje prej kohësh një luftë për pushtet midis Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe fraksioneve reformiste dhe të moderuara të Iranit derisa Raisi erdhi në pushtet në vitin 2021.

Megjithatë, Këshilli i Gardës, një organ që vendos se cilët politikanë janë të përshtatshëm për poste, lejoi vetëm një pjesë të vogël të kandidatëve reformistë të profilit të ulët të sfidonin Raisin.

IRGC ishte në gjendje të rriste ndikimin e saj nën mbikëqyrjen e Raisit, thotë Mehmet Bulovali, një analist politik irakian dhe një ish-këshilltar në presidencën irakiane.

Pas vdekjes së Raisit, IRGC do përpiqet të ushtrojë më shumë pushtet, ndërsa përpiqet të tregojë se nuk ka kaos politik, sthotë ai, por një përçarje serioze e brendshme që mund të shndërrohet në një krizë, ka pak gjasa të ndodhë.

“Në vitin 1981, një bombë vrau 74 zyrtarë të lartë, duke përfshirë disa klerikë të lartë, pas ditëve të tensionuara të revolucionit të 1979, por sistemi ishte në gjendje të mbijetonte.”

Do kishte qenë ndryshe nëse presidenti iranian do vritej në një atentat dhe jo në një aksident, thotë Bulovali për TRT World.

“Nëse këto vdekje do kishin ndodhur për shkak të komploteve të brendshme apo të jashtme, atëherë mund të kishim menduar për skenarë krize. Në atë rast, sistemi iranian do duhet t’i përgjigjet me forcë atyre autorëve, duke çuar në reagime të ndryshme, por nuk është kështu,” thotë ai.

Kush mund të jetë presidenti i ardhshëm?

Bulovali mendon se Mohammad Baqer Ghalibaf, kryetari i parlamentit, ndoshta do të jetë presidenti i ardhshëm iranian.

Kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Baqer Galibaf takohet me Komandantin e Përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjeneralmajor Hossein Salami në Teheran, 21 janar 2023.

Ghalibaf, një ish-oficer ushtarak, është një aleat i fortë i IRGC-së dhe Mojtaba Khamenei, djali i Udhëheqësit Suprem të vendit Ali Khamenei, thotë Bulovali, një tipar që Ghalibaf e ndan me Raisin.

Shumë ekspertë e shohin Mojtaban si një pasardhës të mundshëm të babait të tij për të marrë pozicionin kryesor në vendin që zotëron më shumë pushtet sesa zyra e presidentit.

“Nëse të dyja këto figura, Galibaf dhe Khamenei i vogël, arrijnë postet e tyre hipotetike të mundshme, kjo do të thotë se gjithçka do jetë nën kontrolline plotë të Gardës”, thotë Bulovali.

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale duhet të mbahen në 50 ditët e ardhshme, sipas Kushtetutës iraniane.

Fatima Karimkhan, një gazetare me bazë në Teheran, nuk sheh ndonjë trazirë serioze politike të brendshme pas vdekjes së Raisit.

“Nuk ka asnjë mundësi.”

Kjo nuk është hera e parë që kreu i qeverisë vdes, thotë ajo, duke vënë në dukje vrasjen e ish-presidentit Mohammad Ali Rajai në vitin 1981.

 “Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do jenë shumë të rëndësishme nga këndvështrimi i politikës, por nëse njerëzit vendosin t’i marrin seriozisht apo jo është një çështje që do ndikohet nga shumë faktorë,” tha Karimkhan për TRT Ëorld.

 “Tani për tani, duket se zgjedhjet e ardhshme presidenciale do jenë midis forcave të vijës së ashpër. Kryetari i parlamentit, Ghalibaf, do jetë një nga kandidatët e shquar mes shumë emrave të tjerë, por është shumë herët për të folur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale tani.”

Pas vdekjes së Amirabdollahian, Ali Bahgeri Kani, zëvendës i kryediplomatit të ndjerë, u bë ushtrues detyre i ministrit të Jashtëm. Karimkhan e sheh këtë emërim si një shenjë të konservatorëve që konsolidojnë pushtetin e tyre, sepse Kani është “shumë më i ashpër se ministri i Jashtëm i ndjerë”.

Negociatori kryesor bërthamor i Iranit Ali Bagheri Kani dëgjon ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë një takimi në Teheran, 23 qershor 2022.

Negociatori kryesor bërthamor i Iranit Ali Bagheri Kani dëgjon ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë një takimi në Teheran, 23 qershor 2022

David Des Roches, një profesor në Qendrën për Studime Strategjike të Azisë Jugore të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes dhe një Kolonel në pension i ushtrisë amerikane, sheh një mundësi që IRGC mund të “përfundojë në thelb një grusht shteti me lëvizje të ngadaltë” pas vdekjes së Raisit dhe Amirabdollahian.

Mundësi për reformistët

Si Bulovali, ashtu edhe Karimkhan nuk shohin ndonjë mundësi të vërtetë për reformistët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale.

Bulovali thotë se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore gjatë qeverisë së Presidentit Donald Trump i dha një goditje lëvizjes reformiste, e cila mbronte përmirësimin e lidhjeve me Perëndimin në mënyrë që të merrte lehtësim nga sanksionet ndërkombëtare, të cilat kanë penguar ekonominë iraniane.

Sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja mund të mbeten edhe pas vdekjes së Raisit pasi ato kanë bllokuar furnizimin e pjesëve të avionëve te Irani, duke e detyruar Teheranin të përdorë avionë dhe helikopterë me defekt dhe të vjetër.

Përfshirja e tërthorta të Iranit në luftën Ukrainë-Rusi dhe lufta e Izraelit në Gaza i pengon më tej përpjekjet e reformistëve për t’u afruar drejt Perëndimit, ndërsa vendi i tyre vijon të punojë ngushtë me Rusinë dhe Hamasin, thotë Bulovali.

“Reformistët dhe të moderuarit nuk do kenë vend në këtë garë nëse gjërat shkojnë në të njëjtën mënyrë si tre vjet më parë kur Raisi erdhi në detyrë,” thotë Karimkhan, duke iu referuar skualifikimit të shumë kandidatëve me mendje reformiste në sondazhin e vitit 2021 nga Këshilli Mbikëqyrës dhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje.

Por një pjesëmarrje e ulët, e cila u heq zgjedhjeve legjitimitetin, është pikërisht arsyeja që elita fetare iraniane mund të lejojë të moderuarit të kandidojnë për zgjedhje.

Ghoncheh Tazmini, një analist politik iraniano-kanadez dhe autor i librit Irani i Khatemit: Republika Islamike dhe rruga e trazuar drejt reformës, thotë se frika nga një pjesëmarrje e ulët mund ta shtyjë Teheranin të lejojë një listë më të larmishme kandidatësh të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Irani pati një pjesëmarrje rekord të ulët në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat forcoi palët e vijës së ashpër në parlament.

Anëtarët e stafit të një qendre votimi marrin pjesë në qendrat e tyre gjatë balotazhit parlamentar në Teheran, 10 maj 2024

“Kjo mund të jetë një kohë e përshtatshme për të nxitur një proces politik më gjithëpërfshirës duke paraqitur një kandidat presidencial më të moderuar, i cili mund të tërheqë më shumë votues në kutinë e votimit,” tha Tazmini për TRT Ëorld. Megjithatë, ajo thotë se nuk ka gjasa që një skenar i tillë të ndodhë, duke marrë parasysh sfidat e brendshme dhe të jashtme të Iranit.

 “Duke pasur parasysh gjendjen e rritur të tensioneve në rajon, një udhëheqës më konservator në krye mund të ketë më shumë kuptim, gjë që nga ana tjetër mund të nxisë konkurrencë më të fortë brenda linjës së ashpër. Nga perspektiva e sigurisë kombëtare, Këshilli i Gardës mund të jetë edhe më rigoroz në verifikimin e kandidatëve për të siguruar që presidenti i ardhshëm mund të mbrojë shtetin gjatë kësaj kohe trazirash rajonale,” thotë ajo.

A ka ndonjë ndryshim në politikën e jashtme?

Analistët nuk parashikojnë ndonjë ndryshim serioz në politikën e jashtme të Iranit, duke përfshirë qëndrimin e tij ndaj Izraelit.

“Do të ketë vijimësi në trajektoren e politikës së jashtme iraniane me një prirje të vijueshme drejt Lindjes me një përpjekje për të marrë pjesë në grupimet politike dhe ekonomike “joperëndimore” dhe në organizatat rajonale,” thotë Tazmini, duke iu referuar aleancës në rritje të Teheranit me Rusinë dhe Kinën.

Ajo gjithashtu vlerëson Raisin për “diplomacinë e tij shumëpolare në një format shumëpalësh”.

Raisi, një folës i rrjedhshëm i arabishtes, ishte i dobishëm në ndërtimin e marrëdhënieve me botën arabe, gjë që çoi në normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite e Iranit dhe në uljen e tensioneve në Gjirin Persik, thotë ajo.

Ai gjithashtu mbikëqyri anëtarësimin e Iranit në organizata shumëpalëshe si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe BRICS, shton ajo.

Në lidhje me Sirinë, Libanin, Irakun dhe zonat e tjera, “Irani do vijojë strategjinë e tij të mbrojtjes përpara për të arritur thellësinë strategjike, duke ndërtuar një rrjet degësh duke mbështetur partnerët dhe përfaqësuesit lokalë jo-shtetërorë”, thotë Tazmini, duke iu referuar Aleanca e Teheranit me Hezbollahun e Libanit, milicitë shiite irakiane dhe regjimin e Asadit.

Ky model ushtarak iranian si një formë parandalimi bazohet në perceptimin e Teheranit për një mjedis të sigurisë kërcënuese dhe të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, sipas Tazmini.

Karimkhan gjithashtu nuk sheh ndonjë mundësi për ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme të Iranit në gjithë Lindjen e Mesme. Kur bëhet fjalë për politikën rajonale të Teheranit, qeveritë iraniane janë thjesht “drejtues politikash”, thotë ajo. Kjo vlen edhe për politikën e Iranit ndaj Izraelit, thotë ajo.

“Izraeli ka mjaftueshëm gjëra për t’u shqetësuar tani për tani dhe Irani është shumë më i madh dhe më i fortë se sa është në gjendje të trajtojë Izraeli,” thotë ajo.

Pasi Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme muajin e kaluar, gjërat u duk se u kthyen në rregullat e mëparshme të përfshirjes të një doktrine ushtarake në të cilën Teherani përdor përfaqësuesit e tij për të luftuar Izraelin, sipas Bulovali.

Por kjo mund të ndryshojë gjithashtu në varësi të zhvillimeve në luftën e Gazës dhe politikës së brendshme izraelite, thotë ai.

“Si izraelitët dhe iranianët janë duke pritur për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA për të rikalibruar lëvizjet e tyre të ardhshme.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TRT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani