Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Egjiptit që të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që ndihma humanitare të dërgohet në Gazë, pasi që dërgesat me ushqime dhe ilaçe janë grumbulluar në anën egjiptiane të kufirit.
Blinken, gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se pikëkalimi në Rafah, në jug të Gazës, vazhdon të jetë i mbyllur, që kur atë e mori nën kontroll ushtria izraelite më 7 maj.
“Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë që të sigurohemi që ndihma që kalon përmes Rafahut, të kalojë sigurt. Por, ne u bëjmë thirrje partnerëve egjiptianë që të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që ndihmat të dërgohen”, tha Blinken.
Dërgimi i ndihmave në jug të Gazës është penguar që kur Izraeli nisi operacionet ushtarake në Rafah. Nga luftimet në këtë qytet, sipas Kombeve të Bashkuara, janë zhvendosur 900.000 persona.