Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Të hetohet roli i dy prokurorëve të “Xibrakës”


Gazment Bardhi tha pas daljes nga SPAK se dy prokurorët e dosjes Xibraka duhen hetuar pasi sipas tij nuk kanë gjetur ende kush janë kokat e laboratorit të kokainës.

Ai tha se çështjen në fjalë e ka trajtuar në mënyrë institucionale dhe se nuk ka bërë politikë me të.

“Nuk i bindem, përveç ligjit dhe Zotit, askush tjetër. Këtë çështje e kam trajtuar në rrugë institucionale. Nuk kam bërë politikë me këtë çështje. Presim që prokuroria e Posaçme të zbatojë ligjin. Të hetohet dhe roli i dy prokurorëve që kanë pasur në dorë dosjen Xibraka. Kokat e grupit kriminal ndoshta kanë ngelur pa identifikuar. Bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë, duhet të kishte hetim serioz. Të dy prokurorët zgjodhën që të bënin punën Ramës, se kishin interes vettingun.”, tha Bardhi.

Më herët ai sqaroi se ishte pyetur si person në dijeni dhe se dosja e Xibrakës është rihapur e po rihetohet.

Pak muaj më parë, Bardhi në emisionin Opinion në TV Klan deklaroi se kishte fakte të reja për dosjen Xibraka duke akuzuar vëllain e kryeministrit Rama, Olsi Rama, se ishte i përfshirë dhe se policia kishte fshehur të dhënat e lëvizjeje të tij për të mbrojtur vëllanë e kreut të qeverisë. Pak ditë më pas vëllai i kryeministrit, Olsi Rama paditi në SPAK Bardhin për shpifje, proces që po vijon.