Vendosni fjalën kyçe....

Termocentrali Suk 1/ Banorët e Roskovecit protestë te SPAK-u: Prokuroria të mos lejojë ndërtimin


Banorë të Roskovecit, të fshatit Suk 1, kanë dorëzuar sot në SPAK një kallëzim penal për të ndaluar ndërtimin e termocentralit me gaz që ata gjykojnë se do të dëmtojë shëndetësin e popullsisë dhe do të shpopullojë fshatin e tyre, kallëzim ndaj  kryebashkiakes Rajmonda Bufi dhe një grupi zyrtarësh të Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Fier, Gjirokastër dhe Vlorë si dhe të shoqërisë “Fier Thermoelektrik”.

Banorët kanë zhvilluar një protestë  përpara Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit.

Arsyen e protestës e shpjegoi para mediave, znj. Dhurata Malka,  një anëtare e këshillit bashkiak të Roskovecit.

Ajo u shpreh plot shpresë se prokuroria do të marrë vendimet e duhura dhe do të ndalojë zbatimin e këtij projekti.

 “Unë jam Dhurata Malka, anëtare e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Roskovecit dhe njëkohësisht edhe banore e zonës. Siç na shihni, ne u takuam sërish me ju për herë të pestë për një çështje që shpresuam shumë se do të na zgjidhej atje në bashkinë tonë në Roskovec, në fshatin tonë të bukur Suk 1, por me keqardhje ju them se kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse ne kemi një kryetare bashkie që nuk mbron interesat e qytetarëve të saj. me sa duket, ajo është bërë palë me kryeministrin dhe dy firmat shfrytëzuese dhe kanë dëshirë t’ua mohojnë lirinë dhe të drejtat afro 33 mijë banorëve të bashkisë së Roskovecit, të këtyre njerëzve punëtorë dhe duarartë.

Sot ne jemi shumë këtu. shumëfishi i këtyre që shihni na përcollën për tek ky institucion, te dyert e kësja drejtësie, ndaj ne shpresojmë që kjo prokurori do të marrë vendimet e duhura do të jetë në mbështetjen tonë dhe do të ndalojë zbatimin e këtij projekti në zemrën e hambarit të Myzeqesë, hambarit të të gjithë Evropës, me besim se kjo prokurori do të na marrë në konsideratë shqetësimin tonë madhor, do ta këshillojë kryeministrin ta bëjë Toskanën e premtuar në Roskovec dhe termocentralin për ta shpopulluar.” tha ajo.

Zërit të protestës iu bashkangjit edhe ambjentalisti Sazan Guri, i cili deklaroi se ky ndërtim do të sjellë pasoja për shëndetin e qytetarëve. Ai krahasoi me anë të shembujve, termocentralët me gaz të ndërtuar në Rusi, të cilët e kanë të përcaktuar largësinë nga vendbanimet e njerëzve.