Vendosni fjalën kyçe....

Gërvalla në Uashington: Kosova e përkushtuar për NATO dhe BE, Serbia një kërcënim i vërtetë


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me titull “Synime dhe shqetësime Rajonale”, të organizuar nga Instituti “Hudson” në Uashington.

Gërvalla përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka folur për sfidat me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni i Ballkanit dhe Evropa Lindore.

 “Duke përshkruar zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, të ekonomisë së saj, por edhe të forcimit të të gjitha strukturave të sigurisë dhe forcave të saj të armatosura theksova përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për vlerat demokratike dhe vullnetin e palëkundur për anëtarësim në NATO dhe BE”, ka shkruar Gërvalla.

Ministrja e jashtme tutje ka theksuar se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin.

“Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta të të pranishmëve, theksova se Serbia është kthyer përsëri në një kërcënim të vërtetë jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por për të gjithë rajonin, duke potencuar rëndësinë e ndërrimit të strategjisë së demokracive perëndimore në raport me Serbinë si kundërshtaren më të fuqishme të vlerave Perëndimore dhe demokratike në Evropë dhe domosdoshmërinë e konfrontimit të Serbisë me rrezikun që paraqet për rajonin por edhe për paqen në Evropë”, ka shkruar Gërvalla.