Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca në lidhje me kërkesën e Shoqatës së Prodhuesve të Birrës për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për akcizën e birrës.
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi ligjor i kësaj shoqate, Sajmir Laçej, theksoi se pas rritjes së akcizës, prodhimi i birrës ra deri në 45%, ndërsa disa kompani falimentuan.
“Kam një rezervë për shkresën e 24 maj të paraqitur nga pala e interesuar ku pyetjes sa vende të BE kanë akcizë të unifikuar iu përgjigjur në mënyrë të pavërtetë se janë 10 shtete. Kjo përgjigje është e pasaktë referuar të dhënave të BE. Dua të bëj edhe një koment. Nuk jemi betuar para nisjes së seancës, mbaj përgjegjësi personale edhe si përfaqësues i kompanive prodhues të birrës, që çdo info të dhënë në 42 pyetjet që keni bërë janë të sakta nga burime zyrtare”, tha ai.
Këshilli i Ministrave: Jemi dakord për parashtrimin e provave.
Avokati Laçej: Që prej 1 janarit 2023 për prodhuesit e birrës, akciza është rritur dyfish. Të gjithë po përballen me konkurrencën e kompanive globale, që prodhojnë shumë. Vetëm një kompani prezente në 60 shtete ka prodhuar shumë sasi. Kërkojmë respektimin e parimeve kushtuese. Birrave vendase i është kufizuar veprimtaria e tyre. Argumentet që kemi sjellë në vëmendjen tuaj po i përmbledh. Rritja e menjëhershme pa asnjë studim për impaktin te prodhuesit, dhe impaktin te konsumatorët është provuar se nuk ka pasur një studim veç një relacioni dy faqësh.
Rezultati është rënie e prodhimit vendas dhe numri i të punësuarve. Ka kompani që kanë falimentuar apo ulur prodhimin deri në 40 e ca përqind. Nuk është skeduluar rritja sipas standardeve që parashikon ligji edhe për duhanin. Ndryshimi diferencon verën, që hyn në të njëjtën kategori duke orientuar konsumatorët. Si shpjegohet që në BE asnjë shtet nuk ka akcizë të unifikuar ndërsa në Ballkan vetëm një?
Nëse duhet të përfitonin reduktim vetëm birrat artizanale pse në 10 vite nuk ka pretendim nga prodhuesit. Meqë sipas jush duhet të mbrohet birra artizanale, pse po i dërgoni në faliment?
Kur thoni 1200 mijë hektolitra janë shumë, kur kemi 3 mln banorë dhe presim turistë, pse nuk është shumë për Luksemburgun apo Maltën? Duhet shfuqizuar ndryshimi i pastudiuar. Në emër të shoqatës kërkoj pranimin e kërkesës.