Vendosni fjalën kyçe....

Operacion antikanabis në Shkodër, sekuestrohen 10 536 bimë narkotike


Një operacion anti-kanabis i shtrirë në territorin e qarkut të Shkodrës ka çuar në zbulimin e 5 parcelave me kanabis, ndërsa në total janë gjetur dhe asgjësuar 10 536 bimë dhe 728 fidanë kanabisi.

Sipas njoftimit të policisë në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë.

NJOFTIMI I POLICISË

“Vijon megaoperacioni kombëtar anticannabis i koduar “Territor i pastër”.

Kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim  evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në këtë fazë të megaoperacionit u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Komisariati i Policisë Vau i Dejës dhe 2 njësi të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë.

Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjellura në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellur në tokë).

Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë cannabisi të mbjellura në tokë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimore, gjatë këqyrjes së vendngjarjeve, kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon”.