Policia e Kosovës njoftoi se i ka sekuestruar disa mijëra euro dhe dinarë nga një kasafortë në një degë bankare serbe në Mitrovicën e Veriut të mërkurën.
Në një njoftim për media, policia tha kasaforta në fjalë ishte kontrolluar më 20 maj, gjatë aksionit kur autoritetet kosovare i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, por zyrtarët e saj nuk kishin arritur ta hapnin atë në atë kohë “në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat”.
Policia tha se e identifikoi të mërkurën menaxheren përgjegjëse të degës së bankës “Narodna Banka” në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën e Veriut dhe se e mori atë në pyetje “në cilësinë e të dyshuarës”.
“Në këtë rast janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim: 152.290 dinarë serbë, 4.580 euro dhe 940 franga zvicerane”, thuhet në njoftim.