Vendosni fjalën kyçe....

Balla: 20 persona të krimit strehohen në Dubai


Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbi situatën e krimit në Shqipëri dhe moskapjen e eksponentëve të krimit për shkak se strehohen kryesisht në Dubai.

Balla u shpreh se janë dërguar tre marrëveshje për ekstradimin që janë në proces mes ministrive respektive të drejtësisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai shton se gjatë vizitës së tij në Dubai, është treguar i hapur për të theksuar se do të bëhet çdo përpjekje për të marrë personat e përfshirë në krime të rënda, duke përdorur edhe deportimin.

Kemi çuar të tria marrëveshjet sepse pjesa e ekstradimit lidhet me tre marrëveshje, njëra është për ekstradimin, njëra është për vuajtjen e dënimit dhe për çështjet e juridiksionit gjyqësor. Të tria këto marrëveshje janë në proces vajtje ardhjes mes ministrive të drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë të Emirateve të bashkuara. Politikisht, mund t’ju them dhe keni njofitmin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë të Emirateve të Bashkuara që kemi diskutuar për këtë çështje dhe kemi dëshirën për t’i përmbyllur. Tani,  shumë prej kolegëve të zotit Koka dhe zotit Ferhati mund të thonë që jemi dakord por edhe po e firmosët marrëveshjen ata nuk do e zbatojnë. T’ju them të drejtën kam pasur një bisedë shumë të hapur me ministrin e Brendshëm kur i kam thënë që shikoni kur bëhet fjalë për krime të rënda ne do ngulmojmë në çdo lloj mënyre për t’i marrë. Këtu pastaj ka edhe një moment tjetër që mund të përdorim edhe deportimin  jo ekstradim që kërkon një proces më të gjatë gjyqësor”-tha Balla.

Mes të tjerash, ministri i Brendshëm u pyet edhe për numrin e saktë të personave me precedentë kriminalë që Shqipëria kërkon në Dubai.

“Nuk e kam bërë një përmbledhje të saktë të një numri, por mund të themi që janë me dhjetëra”/

Numrin e saktë Balla e konfirmoi disa minuta më vonë gjatë diskutimit në “Opinion”, ku rezulton se janë identifikuar 20 persona.

Kemi identifikuar 20 persona që kemi marrë konfirmimin që janë në Dubai persona që kemi në kërkim. Shanset që në atë shtet të ketë persona të paidentifikuar që të jenë brenda kufirit të tyre janë thuajse zero se kanë një sistem shumë të mirë të hyrjes në kufi”-tha Balla.