Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, arrestohet në Laç 30-vjeçari shqiptar


Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia në Laç.

Donald Martinaj, lindur në fshatin Gurëz të Kurbinit, ishte në kërkim nga drejtësia italiane, pasi Gjykata e Riminit kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ pasi në korrik të vitit 2023, ky shtetas kishte përndjekur ish të dashurën, duke i djegur makinën me benzinë dhe së bashku me shtetas të tjerë e kishin dhunuar.

Ai akuzohet për disa vepra penale si: penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

NJOFTIMI I POLICISË

“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 7”.

I akuzuar nga Gjykata e Riminit, për 3 vepra penale kundër personit dhe pronës, kapet në Laç dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, 30-vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 7”, kapi në Laç dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar D. M., 30 vjeç, i lindur në fshatin Gurëz, Kurbin.

Gjykata e Riminit, Itali, me vendimin e datës 25.08.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, pasi akuzohet se në muajin korrik, 2023, ka përndjekur ish të dashurën, i ka djegur me benzinë automjetin, si dhe ka organizuar shtetas të tjerë që kanë dhunuar këtë shtetase dhe partnerin e saj.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”, njofton policia.