Pas rreth 3 muajsh e gjysmë, Urgjenca e re e QSUT është rikthyer në funksion.
Sipas raportimeve në media, bëhet me dije se punimet kanë përfunduar në urgjencën, e cila u përfshi nga zjarri në datën 11 shkurt 2024.
Nga sot dhomat në pavion që ishin jashtë shërbimi, janë rikthyer në funksion për pritjen e pacienteve, pasi janë instaluar dritat. Ndërkohë po kryhen testime për rikthimin e plotë të shërbimit të sigurt për qytetarët që pritet në javën e parë të qershorit.
30 mln lekë u alokuan për kthimin në funksion të urgjencës së QSUT, ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka kërkuar një riekspertim të shkaqeve të zjarrit.
Zjarri në urgjencën e QSUT-së që ra më 11 shkurt 2024 në katin -1 në Urgjencë, shkaktoi kolaps në repartin e urgjencave. Prej më shumë se 3 muajsh pacientët detyroheshin të shkonin për të marrë shërbim në spitale si Shefqet Ndroqi, apo edhe në rrethe në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe Spitalins Memorial të Fierit.