Vendosni fjalën kyçe....

Akuza se ka pritur kriminelë në zyrë, Rama: Unë takohem me shumë njerëz, nëse dikush nuk është në rregull drejtësia të bëj punën e saj


Në një intervistë të gjatë për televizionin italian Rai 3, teksa ka folur për kampet e emigrantëve, por mbi të gjitha për akuzat e ngritura se qeveria shqiptare ka lidhje me krimin, kryeministri Edi Rama është përgjigjur edhe ndaj akuzave konkrete nga ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj, i cili po në Rai 3, ka thënë se ka parë me sytë e tij që Rama ka pritur në zyrë kriminelë.

Rama theksoi se ai takohet me shumë njerëz dhe nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëjë punën e saj.

“Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj”, tha Kryeministri.

Pjesë nga Intervista e Kryeministrit Edi Rama në Rai 3

Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin  dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?

Rama: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.

Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.

Rama: I njëjti burim.

Rai3: Po.

Rama: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.

Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.