Për kryeministrin Edi Rama, Shqipëria nuk mund të quhet narkoshtet, pasi është një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për RAI3, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria sot është një vend ndryshe.
Më tej Rama shprehet se për të folur për gjëra të tilla duhen fakte.Sipas tij është kaq e lehtë që ta quash Shqipërinë narkoshtet sikur s’po thua asgjë.
“Po ç’narkoshtet?! Nuk ju duket se po më jepni vetë një provë të neverisë së atij programi? Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE. Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt. Po, e di, personazhet që zgjodhët të ftonit pa të drejtë replike në atë program e mendojnë kështu, por janë të gjithë personazhe që kanë probleme me drejtësinë.
Unë besoj që, kur flitet për të tilla gjëra, duhen parë gjithnjë faktet. Të flasësh për rritje eksponenciale të mafies shqiptare do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh për një mafie ndërkombëtare që nuk njeh kufij, që nuk ka etni. E duke qenë se vijnë nga vende të ndryshme dhe që, për shembull, Eldoradon e vet nuk e ka në Shqipëri, e ka në Holandë, e ka në Portin e Roterdamit. Dje, Wall Street Journal botonte një artikull për Holandën dhe Belgjikën që e bënte Italinë të dukej një vend steril dhe Shqipërinë një vend të tredhur nga këndvështrimi i kapaciteteve mafioze.
Atëherë, për çfarë po flasim dhe pse nuk thuhet asnjëherë që Holanda është një narkoshtet? Që nuk është. Po është kaq e lehtë që ta quash Shqipërinë narkoshtet sikur s’po thua asgjë, ndërkohë që Shqipëria sot është një vend ndryshe dhe ju mund ta dëshmoni këtë.” tha Rama.