Vendosni fjalën kyçe....

Interi kërkon forcimin e sulmit, pranë afrimit të ish-lojtarit të Barcelonës


Interi vazhdon të punojë për t’i dhënë Simone Inzaghi-t një sulmues të ri, në mënyrë që skuadra të jetë shumë konkurruese sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve të medieve italiane, “zikaltërit” janë duke ndjekur me shumë interes Memphis Depayn, me holandezin që ka mbyllur bashkëpunimin me Atletico Madrid dhe tashmë është një lojtar i lirë.

Nëse do të bindte holandezin për t’u bashkuar me ekipin e Inzaghit, Interi do të bënte një goditje, duke ditur se nuk do të shpenzonte asgjë për këtë afrim.

Depay u largua nga Atletico Madrid pas 18 muajsh, ndërsa lajmin se nuk do të rinovojë me “colchoneros” e bëri publik vetë sulmuesi përmes rrjeteve sociale.

“Nuk është e lehtë të shpjegosh atë që ndjej ndërsa shkruaj këtë mesazh, sepse mendoj se gjërat mund të kishin shkuar shumë ndryshe. Ndoshta është më mirë ta lë këtë diskutim për një herë tjetër… Për shokët e mi, për ekipin dhe mbi të gjitha fansat, dua t’ju falënderoj për energjinë dhe mbështetjen që më keni dhënë gjatë kësaj periudhe, do t’i ruaj këto kujtime të bukura”, bën me dije ai.

Depay luajti 31 ndeshje në të gjitha komepticionet në sezonin që sapo përfundoi, duke shënuar 9 gola dhe duke dhuruar 2 asistime.