Vendosni fjalën kyçe....

Sulme në Dnjepër të Ukrainës, disa të plagosur


Rusia kreu një sulm me raketa në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnjepër, mëngjesin e 4 qershorit, njoftoi në Telegram guvernatori rajonal, Serhiy Lysak.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi të dyja raketat, por rënia e pjesëve të tyre shkaktoi zjarr, tha ai.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur disa banorë, në mesin e tyre edhe fëmijë”, tha Lysak.

Ushtria ruse sulmon rregullisht rajonet e popullurara të Ukrainës me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë sulmues e raketa.

Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska mohon se sulmon zonat civile.

Ajo ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë ka verifikuar, deri më tash, të dhënat për vrasjen e 10.810 civilëve në Ukrainë dhe plagosjen e 20.556 të tjerëve.

Por, kjo organizatë thekson se numri real i viktimave civile është shumë më i lartë./REL