Presidenti Joe Biden do të përpiqet të bindë udhëheqësit e vendeve më të pasura të botës që të ofrojnë deri në 50 miliardë dollarë kredi për të mbështetur luftën e Ukrainës. Fondet do të mundësohen nga interesat e pasurive ruse të ngrira në institucionet financiare perëndimore.
Presidenti amerikan dëshiron që homologët e tij në G7 ta miratojnë këtë plan në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Apulia të Italisë, që pritet të fillojë në 13 qershor.
Por përpara se vendet partnere në G7 të japin mbështetjen, do të duhet të qartësohen shumë prej detajeve të kësaj skeme, i tha Zërit të Amerikës një person në dijeni të planit të presidentit Biden.
Pjesa më e madhe e pasurive ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë, të ngrira nga institucionet perëndimore pas sulmit në Ukrainë në shkurt 2022, gjenden në Evropë, kryesisht në Belgjikë, Francë dhe Gjermani.
Në prill, presidenti Biden firmosi ligjin që i lejon Uashingtonit të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë pasuri ruse që ishin ngrirë në institucionet financiare amerikane.
Duke i rezistuar trysnisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina për të sekuestruar vetë pasuritë ruse drejtpërsëdrejti, zyrtarët e BE-së miratuan në maj një plan më të kufizuar, për përdorimin vetëm të interesit që krijohet nga këto pasuri, interes që vlerësohet në rreth 3 miliardë dollarë në vit.
Por administrata e presidentit Biden po kërkon një skemë më agresive. E thënë më thjesht, një kredi me vlerë deri në 50 miliardë dollarë do t’i jepet paraprakisht Ukrainës nga vendet aleate perëndimore, që do të shlyhet nga interesat e pasurive ruse gjatë viteve në vazhdim.
Nëse kredia nuk jepet në emër të të gjitha vendeve të G7-ës, ndoshta Shtetet e Bashkuara, së bashku me vende të tjera aleate, si Kanadaja, Britania, Japonia dhe BE-ja, do ta jepnin këtë kredi së toku dhe do të merrnin interesat e përfituara nga pasuritë ruse.
Detajet e këtij plani janë të paqarta ndërsa vazhdojnë përpjekjet intensive diplomatike për të qartësuar aspektet ligjore dhe teknike. Por, ministrat e financave të G7-ës ranë përgjithësisht dakort për të mbështetur parimet e këtij plani gjatë takimit të tyre në muajin maj.
Diskutimet e grupit janë fokusuar në atë që mund të bëhet për të zhbllokuar vlerën e pasurive të ngrira ruse, për të mirën e popullit ukrainas, tha zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo.
“Ata biseduan për një sërë opsionesh që do të na lejojnë të sigurohemi që Ukraina të ketë qasje tek paratë që iu nevojiten, jo vetëm për të investuar në ekonomi, por për të investuar për mbrojtjen”, tha zoti Adeyemo për Zërin e Amerikës.
“Dhe pritshmëria ime është që ndërsa arrijmë tek takimi i udhëheqësve, ata do të miratojnë disa nga këto opsione”.
Kjo iniciativë është nxitur pjesërisht nga situata në fushëbetejë, ku forcat e Moskës kanë bërë përparime strategjike në veri dhe veri-lindje të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Rusia gjithashtu ka intensifikuar sulmet përgjatë frontit lindor.
Ngurrimi i taksapaguesve amerikanë për të financuar luftën është një tjetër faktor nxitës. Megjithëse Kongresi amerikan ra dakord në prill për një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, kundërshtimet e republikanëve e patën bllokuar miratimin e saj.
Në takimin e tij të së premtes me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris, në kuadrin e festimeve të Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, presidenti Biden i kërkoi ndjesë presidentit ukrainas për “ato javë që nuk e dinte se çfarë do të ndodhte – për sa i përket financimit”, duke fajësuar ligjvënësit “shumë konservatorë”, që e vonuan. Ai u zotua të vazhdojë të mbështesë përpjekjet në luftë të Ukrainës.
Por ndërsa vendet e tjera të G7-ës përballen me të njëjtën lodhje të zgjedhësve të tyre për financimin e luftës, presidenti Biden filloi të punojë me aleatët dhe partnerët për ta bërë Rusinë të paguajë, në vend që kjo të rëndojë tek taksapaguesit, në një mënyrë që ruan unitetin pa kaluar vijën e kuqe të asnjë vendi, tha zyrtari amerikan që foli në anonimitet.
Ndërsa ekziston një marrëveshje e përgjithshme për t’i dhënë Ukrainës sa më shumë që të jetë e mundur, sa më shpejt që të jetë e mundur, ka edhe pasoja sfiduese ligjore dhe rregullatore të huadhënies bazuar tek të ardhurat nga interesat e parashikuara të pasurive të ngrira, tha Kristine Berzina, drejtore e qendrës “Geostrategy North” në Fondin Marshall.
“Si jepet hua kundrejt fitimeve të parashikuara të pasurive, si përshtatet kjo në regjimin ekzistues të sanksioneve dhe për sa kohë do të jenë këto pasuri vërtet të ngrira?”, i vuri ajo në dukje Zërit të Amerikës ndërsa radhiste problemet kryesore. “Si mund të garantohet që sanksionet që ngrijnë këto pasuri nuk do të ndryshohen nga evropianët përpara se të sigurohet shuma 50 miliardë?”.
Moska ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet. Në maj, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që Rusia të identifikojë pronat amerikane, përfshirë letrat me vlerë, që mund të përdoren si kompensim për humbjet e pësuara si rezultat i sekuestrimit të pasurive të ngrira ruse në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa disa vende perëndimore mund të jenë të shqetësuara nga kërcënimi, të tjerët janë të shqetësuar për precedentin e përdorimit të pasurive të ngrira sipas ligjit ndërkombëtar.
Presidenti Biden do të përpiqet t’i qetësojë këto shqetësime kur të takohet me udhëheqësit e G7-ës javën e ardhshme.
Ai përballet me shumë sfida, përfshirë një Parlamenti të ri Evropian këtë fundjavë, kur qindra milionë votues nga 27 vende mund të ndihmojnë për të vendosur rreth pozicionimit të këtij kontinenti mes unitetit dhe nacionalizmit, si dhe të përcaktojnë fatin e mbështetjes evropiane për Ukrainën./VOA