Presidenti kolumbian Gustavo Petro njoftoi të shtunën se vendi i tij do të pezullojë eksportet e qymyrit në Izrael për shkak të luftës në Gaza, pasi marrëdhëniet janë acaruar mes dy vendeve që dikur ishin aleatë të ngushtë ushtarakë dhe tregtarë.
Petro shkroi në platformën e mediave sociale X se eksportet e qymyrit do të rifillojnë vetëm “kur të ndalojë gjenocidi” në Gaza.
Petro postoi gjithashtu një projekt-dekret, i cili thotë se eksportet e qymyrit do të rifillojnë vetëm nëse Izraeli zbaton një urdhër të fundit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që thotë se Izraeli duhet të tërheqë trupat e tij nga Rripi i Gazës.
Sipas Departamentit Kombëtar të Statistikave të Kolumbisë, eksportet e qymyrit në Izrael ishin me vlerë më shumë se 320 milionë dollarë në tetë muajt e parë të vitit të kaluar. Kjo është një pjesë e vogël e eksporteve të përgjithshme të qymyrit të vendit, të cilat ishin me vlerë më shumë se 9 miliardë dollarë në 2023.
Izraeli importon më shumë se 50% të qymyrit të tij nga Kolumbia, sipas American Journal for Transportation, dhe e përdor pjesën më të madhe të tij për të ushqyer termocentralet e tij.
Petro, i cili u zgjodh në detyrë në vitin 2022 si presidenti i parë majtist i Kolumbisë, prishi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në maj duke thënë se ai nuk mund të mbante marrëdhënie me qeverinë “gjenocidale” të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP