Policia e Tiranës ka vënë në pranga shtetasin Klevis Berberi, 32 vjeç, i cili i mori përmes mashtrimit 108 mijë euro një 54-vjeçareje.
Sipas komunikatës bëhet me dije se 32-vjeçari, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro 54 vjeçares.
Berberi ka falsifikuar deklaratën noteriale të bankës me qëllim përvetësimin e kësaj shume dhe të pronës që do të blihej nga ajo.
Pasi është nënshkruar akti notarial për blerjen e pronës, 54-vjeçarja duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që i arrestuari ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të një banke të nivelit të dytë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizuan operacionin “Banker”.
Në kuadër të këtij operacioni u ndalua me iniciativë shtetasi K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Shpërdorimi i detyrës”
32-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro shtetases F. M., 54 vjeçe, duke falsifikuar deklaratën noteriale të bankës me qëllim përvetësimin e kësaj shume dhe të pronës që do të blihej nga ajo.
Pasi është nënshkruar akti notarial për blerjen e pronës, shtetasja F. M., duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që shtetasi K. B., ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të një banke të nivelit të dytë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.