Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini


Ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Kanë qenë familjarët dhe të afërmit e Sejdinit ata që kanë ndarë lajmin.

Mësohet se Sejdini vuante prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë.

Qazim Sejdini ishte ndër figurat më të rëndësishme të PS dhe drejtoi për tre mandate Bashkinë e Elbasanit nga viti 2007 deri në vitin 2019 kur vendosi të mos rikandidonte më.

Ai ndoqi shkollën e mesme Jeronim De Rada dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik.

Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e edukimit fizik Vojo Kushi në Tiranë.

Në 1970 Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it. Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.

Në 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit. Nga viti 2007 deri në vitin 2019, ka drejtuar Bashkinë e Elbasanit.