Vendosni fjalën kyçe....

Paga mesatare bruto 73 mijë lekë, thellohet diferenca mes rrogave në shtet dhe atyre në privat


Viti 2024, ka nisur me ulje të pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Nga 75 mijë lekë që ishte rroga mesatare bruto në fund të vitit 2023, sipas të dhënave të INSTAT në fund të marsit ajo zbriti në 73.6 mijë lekë. Shkak për këtë rënie janë shpërblimet që jepen kryesisht në fundvit, që rrisin automatikisht edhe vlerën e pagës mesatare të deklaruar.

Ndërsa në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar rroga mesatare është rritur me 8.9 mijë lekë, e udhëhequr kryesisht nga sektori publik, si rezultat edhe i reformës së rritjes së pagave nga qeveria.

“Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2024 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 15,3 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Informacioni dhe komunikacioni prej 6,9%”, thotë INSTAT.

Nga janari në mars profesionet që lidhen me menaxhimin, ligjvënësit, nëpunësit e administratës, apo specialistët e arsimit të lartë kishin paga më të larta se sa mesatarja e vendit. Në këtë periudhë të parë të vitit është thelluar diferenca në paga midis punonjësve të shtetit me ato të privatit, pasi rroga mesatare në sektorin privat përllogaritet në 68.6 mijë lekë nga 84.9 mijë lekë që është në shtet.

Ky nivel i ulët i pagave në sektorin privat, bie në kontradiktë edhe me realitetin e viteve të fundit, ku bizneset për shkak të mungesës së punonjësve kanë rritur pagat për të mbajtur stafin. Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të rrogave, lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra subjekte nuk i deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Pra, bizneset për t’ju shmangur taksave, vendosin ti nen deklarojnë rrogat e punonjësve, ku një pjesë ua japin një dorë e tjetrën në bankë. Ulja e deklarimit, ndikon automatikisht edhe në nivelin mestar të rrogave në vend. Por nga ana tjetër nën-deklarimi i rrogave, godet të ardhmen e qytetarëve, duke ju rrezikuar pensionin i cili varet nga vlera e kontributeve dhe vitet e punës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com