Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti i Argjentinës miraton projektligjin e reformave, protesta të ashpra jashtë


Senati i Argjentinës miratoi të mërkurën një projektligj të gjerë që është kyç për planet e reformës ekonomike të presidentit libertar Javier Milei, ndërsa protestuesit vunë zjarr dhe u përleshën me policinë në rrugët jashtë Kongresit.

Projektligji u miratua pas një debati maratonë, me senatorët tani që duhet të votojnë për çdo nen të paketës së krijuar për të nxitur investimet duke privatizuar njësitë shtetërore dhe duke ofruar stimuj për bizneset.

Projektligji fillimisht u miratua nga dhoma e ulët e deputetëve në prill, por tani do kthehet për një votim tjetër pas ndryshimeve në Senat.

“Sot janë dy Argjentina,” tha kryetarja e parlamentit Villarruel ndërsa votoi në favor të reformës.

“Një Argjentinë e dhunshme që i vë zjarrin makinave, hedh gurë dhe debaton ushtrimin e demokracisë, dhe një Argjentinë tjetër me punëtorë që presin me shumë dhimbje dhe sakrifica ndryshimin që votuan”.

Qeveria e Mileit, e cila kontrollon vetëm një pakicë vendesh në të dyja dhomat, kishte bërë pazare për të fituar mbi aleatët. Ajo e dinte se projektligji do përballej me ndryshime, por kishte shpresuar që të paktën të merrte miratimin e përgjithshëm.

Blloku kryesor i opozitës peroniste me prirje të majtë, i lidhur ngushtë me sindikatat, kishte votuar atë që njihet si projektligji i “bazave”, me votim ende në pritje për një paketë të veçantë fiskale.

Projektligji është kyç për planet e Mileit për të riparuar një ekonomi me shumë probleme, me inflacion afër 300%, dhe përfshin plane për privatizimin e firmave publike, dhënien e pushteteve të veçanta presidentit dhe nxitjen e investimeve.

Por disa protestues kanë frikë se kjo do t’i lërë të ekspozuar më tej ndaj rritjes së papunësisë dhe çmimeve të konsumit.

Pamjet e Reuters nga rrugët e Buenos Aires treguan një makinë të djegur, me protestues të shpërndarë që hidhnin gurë dhe shishe, ndërsa policia me pajisje kundër protestave përdori gaz lotsjellës, makina ujëhedhëse dhe plumba gome.

Zyra e Mileit festoi miratimin e projektligjit.

“Ajo që ndodhi sonte është një triumf për popullin argjentinas dhe hapi i parë për të rikuperuar madhështinë tonë,” tha zyra presidenciale në një deklaratë.