Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Anila Denaj me anë të një video të publikuar në llogarinë e saj në Facebook bëri të ditur sot se janë publikuar në fletoren zyrtare ndryshimet e vendimit të Këshillit të Ministrave 283/2015, të cilat lidhen drejtpërdrejt me rregullat dhe procedurat e lejeve të ndërtimit për objektet bujqësore dhe blegtorale
Ajo tha se kjo ishte një nismë e deputetëve socialist të Parlamentit të Shqipërisë, të cilët me porosi të kryeministrit Rama, u ngarkuan vitin e shkuar për të sjellë një paketë lehtësuese si për objektet bujqësore, ashtu dhe lehtësi për objektet banuese në zonat rurale.
“Vendimi 283 lidh në mënyrë të drejtpërdrejt ekonominë bujqësore me shfrytëzimin më të madh të kapaciteteve ekzistuese apo atyre të reja që do të ndërtohen në të ardhmen dhe konkretisht duke rritur sipërfaqen e shfrytëzueshme të tokës në sera nga 70% në 90%. Është punuar në mënyrë të drejtpërdrejt për të parë të gjitha kapacitetet e ambjenteve funksionale ndihmëse për të ndihmuar dhe magazinimin dhe ruajtjen e produkteve bujqësore blegtorale.
Janë parë parametrat e lartësisë duke ndihmuar në zgjerimin e vëllimit, e kështu jo vetëm në rritjen e kapacitetit prodhues, por dhe të cilësisë të produkteve bujqësore dhe blegtorale,” thotë Denaj në një video të publikuar në rrjetet sociale.
“Distancat nga zonat e banuara, nga pronat kufitare janë zvogëluar dhe kjo në ndihmë të kapacitetit të shtuar të këtyre infrastrukturave. Parashikohet që 15-20% të jetë rritja e kapacitetit bujqësor si rezultat i këtyre lehtësive në mënyrë që sot fermeri dhe blegtori të ketë më shumë mundësi për të njëjtin investim të prodhoj më shumë ekonomi”, shton ajo.
Ministrja informoi ky nuk është i vetmi ndryshim. Vendimi përmban edhe shumë harmonizime, të cilat së bashku me planet vendore i vijnë në ndihmë çdo investimi që ka ndodhur përpara këtyre planeve vendore të aprovuara.
“Është një kërkesë e veçantë që çdo veprimtari bujqësore të ketë mundësi që të kujdeset për mbetjet dhe të ketë një investim për vend depozitimin e mbetjeve, i cili do të synonte edhe aplikimin e një teknologjie më të avancuar”, u shpreh Denaj.
Më tej, ministrja shtoi se vendimi 283 nuk është i vetmi për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit bujqësor, një sektori shumë të rëndësishëm sot për ekonominë tonë të përgjithshme.
“Banesat janë njëkohësisht element i rishikuar i vendimit 408 e për këtë këto ndryshime të kompletuara brenda paketës lehtësuese i vijnë në ndihmë të gjithë të rinjve dhe të rejave, të cilët do të gjejnë një mundësi edhe më të shtuar në investimet e tyre në të ardhmen, por mbi të gjitha të gjithë investimeve të sotme për më tepër ekonomi.
Të dy vendimet e Këshillit të Ministrave, sipas ministres Denaj, janë një pasqyrë e plotë e qeverisjes socialiste, e kryeministrit, për të sjellë më afër sektorin e bujqësisë drejt zhvillimit që sot kërkon fermeri dhe blegtori, e mbi të gjitha kërkon koha, për më tepër ekonomi, standard dhe për të arritur objektivat e Shqipërinë 2030, 1 miliard dollarë eksporte, duke synuar tregjet elitare”, theksoi ajo.