Vendosni fjalën kyçe....

51 shoqata dhe 50 personalitete të Diasporës letër Kuvendit të Shqipërisë: Mundësoni votën


51 shoqata dhe 50 personalitete të Diasporës ia kanë dërguar sot (13 qershor) një letër Kuvendit të Shqipërisë dhe kryepalamentares Lindita Nikolla, ku kërkohet që të mundësohet vota e diasporës.

Prandaj, duke konsideruar se është momenti i fundit, kërkojmë nga ju që të veproni me urgjencë në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë të përmbushë detyrimin kushtetues për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për të mundësuar votimin e shqiptarëve me vendbanim jashtë Shqipërisë që nga zgjedhjet e ardhshme. Duke shpresuar që argumentet dhe kërkesat tona do të adresohen, shprehim gjithashtu gatishmërinë tonë për mbështetje në këtë proces, në çfarëdo forme që është e nevojshm” – thuhet në letër.

Letra e plotë:

E nderuara kryetare e Kuvendit

Ne, organizatat dhe personalitetet e poshtëshënuara, përmes kësaj letre përcjellim kërkesën tonë dhe të shumë bashkatdhetarëve në diasporë për të ndërmarrë me urgjencë të gjitha veprimet nevojshme për ndryshimet e domosdoshme në Kodin Zgjedhor, me qëllim mundësimin e votimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që nga zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 45.1, i njeh “çdo shtetasi të drejtën që të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Por, për shtetasit shqiptarë jashtë Shqipërisë, ushtrimi i kësaj të drejte nga jashtë ka qenë i pamundur. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, më datë 9 dhjetor 2022 (vendimi numër 38), ka konstatuar cënimin e të drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor, dhe ka obliguar Kuvendin për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti. Kuvendi i Shqipërisë u ngarkua drejtpërdrejt me vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 38, datë 09.12.2022, për zbatimin e këtij vendimi brenda një afati njëvjeçar nga data e hyrjes në fuqi (dita e fundit e përmbushjes së afatit njëvjeçar ishte më 12.01.2024). Sot kanë kaluar disa muaj nga ky afat dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka punuar prej katër vitesh me shoqata nga diaspora dhe organizata ndërkombëtare si OSBE për t’u përgatitur për të gjitha modalitetet e votimit të diasporës. Në këtë drejtim, janë diskutuar dhe trajtuar shumë shembuj dhe forma të mundshme të votimit nga jashtë. KQZ madje ka shkuar një hap më tej duke bërë propozime teknike konkrete për votën e diasporës (datë 25 maj 2024), duke konfirmuar që KQZ ka njohuritë e duhura dhe është përgatitur për të zbatuar në praktikë cilindo model që përcakton Kuvendi përmes ndryshimeve ligjore, duke ruajtur njëkohësisht fshehtësinë dhe integritetin e votuesve. 2 Përtej detyrimeve kushtetuese dhe ligjore dhe modaliteteve teknike, ne konsiderojmë se vota e diasporës do të shërbente si një ‘infuzion’ për demokracinë shqiptare. Përvoja nga vende të ndryshme tregon se votimi i diasporës ndikon pozitivisht për ndryshime demokratike në vendin e origjinës. Duke zgjeruar spektrin e vendimmarrësve, vota e diasporës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e legjitimitetit të institucioneve të dalura nga zgjedhjet. Gjithashtu, për një shtet me popullsi relativisht të vogël si Republika e Shqipërisë, përfshirja e diasporës në proceset politike është një mjet i rëndësishëm për të mbajtur të forta lidhjet me vendin e origjinës. Në këtë drejtim, siç thekson edhe Komisioni i Venecias (2011), “votimi jashtë vendit do të shërbente si një instrument shtesë për të mundësuar që zërat e qytetarëve jashtë vendit të dëgjohen, duke nxitur më tej angazhimin e tyre në vendin e origjinës.” Vlen të theksohet se mbi 120 vende në botë e realizojnë me sukses votimin e diasporës, duke i përfshirë në vendimmarrje të gjithë qytetarët e tyre, pavarësisht vendbanimit. Shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare sot me të drejtë ndjehen të neglizhuar nga shteti shqiptar, duke qenë se kërkesat e vazhdueshme për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes nuk janë marrë parasysh. Kujtojmë se votimi nga jashtë për bashkatdhetarët tanë ka qenë edhe një nga premtimet më kryesore gjatë të gjitha Samiteve të Diasporës. Mosmbajtja e këtij premtimi ndikon drejtpërdrejt në raportet e diasporës me shtetin amë, duke ulur besueshmërinë ndaj institucioneve të shtetit shqiptar. Prandaj, duke konsideruar se është momenti i fundit, kërkojmë nga ju që të veproni me urgjencë në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë të përmbushë detyrimin kushtetues për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për të mundësuar votimin e shqiptarëve me vendbanim jashtë Shqipërisë që nga zgjedhjet e ardhshme. Duke shpresuar që argumentet dhe kërkesat tona do të adresohen, shprehim gjithashtu gatishmërinë tonë për mbështetje në këtë proces, në çfarëdo forme që është e nevojshme. Me respekt, Nënshkruar nga personalitetet dhe organizatat e poshtëshënuara.