Ish-deputetja e PD-së Rudina Hajdari ka shprehur rezerva për kreun e PD-së Berisha ndërsa e quajti të duhur vendimin e gjykatës për vulën dhe simbolet e partisë.
Në një intervistë për Report Tv ajo tha se selia blu ka nevojë të ketë në krye një drejtues që të thithë elektoratin grin ë mënyrë që të jetë konkurruese.
“Vendim i duhur. Çdo forcë politikë, qoftë në Shqipëri apo kudo tjetër, vendos anëtarësia dhe ka të drejtë të përdorë votën për të përzgjedhur kandidatin në zgjedhjen e lidershipit, nëse anëtarësia ka dëshirë të mbështesë një person non grata, kjo është në varësi të funksionit të tyre. Nëse kjo parti kërkon të vijë në fuqi, qeveri, apo të jetë forcë konkurruese në zgjedhjet e 2025, kjo duhet parë me kujdes se padyshim që ka efektet e veta. Është vullneti im i lirë për të qenë pjesë e PD, askush s’mund të më largojë, siç ka ndodhur rëndom atëherë. Këto janë gjëra të kaluara. Edhe pse kisha rezervat e mia për rikthimin e Berishës në krye, si individ kam respektin maksimal, por PD i duhet një lidership i ri, një figurë e re. Është diçka që do sillte risi dhe do ishte funksionale për të thithur elektoratin gri”, tha Hajdari.