Kryetarja e komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi Albana Vokshi denoncoi deputetët socialistë në komision se po shantazhojnë dhe fyejnë dëshmitarët që paraqiten.
Në rubrikën “Opinion” në News24, demokratja tha se socialistët Ndreca e të tjerë në shumë raste kanë fyer jo vetëm dëshmitarët po edhe deputetët demokratë.
Vokshi tha se kryeministri Rama nuk mund të lejojë që të zbulohen abuzimet e mëdha me koncesionet në shëndetësi.
“Në raportet e KLSH del jo një herë por disa herë emri i Milva Ikonomi, që ka firmosur një nga dy kontratat financiare në 2015, duke i dhënë Vilma Nushit koncensionin e Check Up. Këtë e thonë audituesit e KLSH, sipas të cilëve është abuzuar me mbi 104 mijë analiza të pakryera për të cilat është paguar Vilma Nushi, dhe nëse e llogarisimin me 15 euro një analizë, bëni pak llogaritë. Ju mendoni që Edi Rama do lejojë që të zbulohen abuzimet qindra milionëshe që kanë ndodhur me këtë kontratë? Ajo që ne kërkuam që të paktën minimalisht që dëshmitarët, audituesit që kishin performuar auditim, gjatë kohës që Milva Ekonomi ka qenë kryetare, të mos ishte pjesë e komisionit. Si mundët që Milva të hetojë veten? A ka konflikt interesi Milva Ikonomi, natyrisht që po se ka qenë edhe ministre edhe drejtoreshë?
PS ka një strategji, e para përdor joshjen, kur nuk arrin të joshë personat që do ti blejë, përdor shantazhin, dhunën, presionin. Dje ishin të ftuar audituesit e KLSH, që duhen falënderuar sepse kanë bërë transparencën e abuzimeve në shëndetësi dhe çfarë bënë socialistët? Intimiduan dëshmitarin. Plarent Ndreca nuk bëri pyetje për gjetjet, për rekomandimet. Pyetjet e dëshmitarëve bëhen vetëm për objektin, ndërsa ata i pyetën ku keni lindur, çfarë shkolle, çlidhje familjare keni. Kishin bërë hetim personal dhe familjar për audituesit me qëllimin vetëm për ti intimiduar”, tha Vokshi.