Vendosni fjalën kyçe....

Putin bën ofertën e re për armëpushim në Ukrainë, i kërkon Kievit të heqë dorë nga territoret e humbura


Presidenti rus Putin tha të premten se Rusia do ishte gati të urdhëronte një armëpushim në Ukrainë dhe të hynte në negociata me qeverinë e saj nëse Kievi tërhiqte trupat nga katër rajonet që Moska i ka pretenduar si të sajat dhe të heqë dorë nga aspiratat e saj për t’u bashkuar me NATO-n.

Ministria e Jashtme e Ukrainës denoncoi me shpejtësi deklaratën e Putin, duke thënë se qëllimi i tij ishte “të mashtronte komunitetin ndërkombëtar, të minonte përpjekjet diplomatike që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë dhe të përçajnë unitetin e botës mbi qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Njoftimi i ri i Putin parashikon që Ukraina t’i dorëzojë në mënyrë efektive pjesë të mëdha të territorit të saj Moskës, duke përfshirë kryeqytetet e rajoneve Kherson dhe Zaporizhia. Ato përfaqësojnë grupin më konkret të kushteve territoriale të Putin për të ndaluar luftën deri më sot.

Deri më tani, Putin ka thënë se çdo negociatë duhet të marrë parasysh “të vërtetat e sotme”, një qëndrim që disa analistë e interpretuan si ofertë për një armëpushim në vijat e tanishme të betejës.

Kievi ka thënë se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës.

Putin i bëri këto komente një ditë përpara një konference paqeje në alpet zvicerane që Ukraina ka organizuar për të bindur vendet që të nënshkruajnë planet e saj për luftën dhe paqen e mundshme. Rusia nuk ishte e ftuar në samit dhe njoftimi i Putin dukej se synonte të dilte përpara mbledhjes.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se oferta e Putinit sugjeronte se ai po përpiqej të minonte përpjekjet diplomatike të Ukrainës në Zvicër që fillon të shtunën, dhe tregoi se ai ka “frikë nga një paqe e vërtetë”.

“Ukraina nuk e ka dashur kurrë këtë luftë, por më shumë se kushdo në botë dëshiron që ajo të përfundojë”, tha ministria.

Me njoftimin e tij, Putin dukej se po i dërgonte një mesazh Ukrainës, Perëndimit, si dhe shteteve të paangazhuara në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine që janë quajtur Jugu Global. Rusia dhe Perëndimi kanë konkurruar për simpatitë e tyre mes thirrjeve në rritje se asnjëra palë nuk mund të arrijë një fitore të plotë në Ukrainë.

Duke folur në një takim me diplomatët e tij të lartë në Moskë, Putin i përshkroi kërkesat e Rusisë si “shumë të thjeshta”. Ai tha se Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga të gjithë rajonet e saj Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhia, të cilat ai zyrtarisht i pretendoi si pjesë e Rusisë në shtator 2022, edhe pse Rusia nuk kontrollon të gjithë territorin.

Ai tha gjithashtu se Ukraina duhet të braktisë planet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe se Perëndimi duhet të heqë të gjitha sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Në këto kushte, tha ai, Rusia “do lëshonte menjëherë një urdhër për pushimin e zjarrit dhe fillimin e negociatave”.

Putin tha se me ofertën e saj, Rusia nuk po fliste për “ngrirjen e konfliktit, por për zgjidhjen përfundimtare të tij”.

“Sot ne po bëjmë një tjetër propozim të prekshëm, të vërtetë për paqen”, tha udhëheqësi rus. “Pozicioni ynë parimor është se statusi i Ukrainës duhet të jetë asnjanës, i paangazhuar, pa armë bërthamore”, tha ai.

Duke folur për konferencën e ardhshme të paqes në Zvicër, Putin tha se pa Rusinë “do ishte e pamundur të arrihet një zgjidhje paqësore për Ukrainën dhe në përgjithësi për sigurinë globale evropiane”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani