Vendosni fjalën kyçe....

Investimet në infrastrukturën bujqësore arritën 5.7 milionë euro deri në prill


Investimet në programin “Infrastruktura e Kullimit dhe Ujitjes” arritën në fund të prillit në 557 milionë lekë apo rreth 5.7 milionë euro.

Programi në fjalë i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në total për këtë v it të programuar 2.55 miliardë lekë apo rreth 25 milionë euro të cilat duhet të realizohen deri në fund të 2024-ës dhe që kanë në fokus investimet në kullim dhe ujitje të tokave bujqësore.

“Realizimi i shpenzimeve për 4 mujorin e parë të vitit 2024, për këtë program, që përfaqëson 26.77 % të totalit të buxhetit fakt të kësaj ministrie” thuhet në dokument.

Por cilat janë investimet që janë kryer për këtë vit sipas raportit të monitorimit të buxhetit?

Ministria nënvizon se me shpenzimet operative, vazhdojnë punimet, fokusuar kryesisht për mirëmbajtjen e objekteve të infrastrukturës së ujitjes, për pasjen në funksion të kanaleve kryesor ujitës për sezonin ujitës të këtij viti (veçanërisht kanalet kryesor ujitës Peqin-Kavajë, që mbulojnë me ujitje bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, kanalet Naun Panxhi dhe Poilis Tudan, që mbulojnë me ujitje bashkinë Elbasan, si dhe veprat e marrjes së ujit për disa kanale kryesor ujitës në administrim të MBZHR si kanalet Mat-Lezhë, Mat-Kurbin në Lezhë e Kurbin, Vjosë-Levan-Fier, në Fier, Degët Ujitëse me rezervuarin e Thanës në Lushnje etj).

“Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ka filluar puna edhe për pastrimin e kanaleve kryesor kullues dhe mbajtjen në funksion të plotë të 27 hidrovoreve, që kullojnë rreth 70,000 ha në ultësirën perëndimore” thuhet në raport.

I njëjti sqaron se në lidhje me projektet me investimet të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, veprave të mbrojtjes nga përmbytja dhe hidrovoret, të financuara me buxhetin e vitit 2024, në total janë 78 projekte, nga të cilët: në vazhdim nga viti 2023 të paktën 23 projekte, të reja 55 projekte. Nga këta të fundit i përkasin MBZHR 23 projekte dhe 27 projekte të bashkive.

“Megjithëse në total realizimi financiar i investimeve është rreth 21 %, mund të themi se aktualisht realizimi i punimeve fizike në objektet në vazhdim është rreth 93 %, gjë për të cilën ekziston mundësia e avancimit të financimit për disa nga këto objekte, që kapin vlerën rreth 209 milion lekë” thuhet në raport.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor