Një burrë sulmoi disa persona në një festë private për të shënuar hapjen e turneut të futbollit Euro 2024 në shtetin lindor të Gjermanisë, Saksoni-Anhalt, raportuan mediat gjermane të shtunën.
Tre persona u plagosën në sulmin me thikë në qytetin Wolmirstedt, afër Magdeburgut, që ndodhi të premten, ndërsa Gjermania luante me Skocinë në ndeshjen hapëse.
Gazeta gjermane Bild citoi policinë të thoshte se sulmuesi vrapoi nëpër një zonë aty pranë përpara se të hynte në pronën ku po zhvillohej festa dhe goditi me thikë të pranishmit në mënyrë të rastësishme, përcjell DW.
Dy nga të plagosurit janë plagosur rëndë, tha e përditshmja gjermane.
Bild tha se sulmi ndodhi pak minuta pas fillimit të ndeshjes në Grupin A.
Sipas zyrës së prokurorit publik, sulmuesi kishte therur me thikë një burrë në një vend tjetër aty pranë.
Sulmuesi më pas u qëllua për vdekje nga policia.
Bild citoi një zëdhënëse të policisë të thoshte se burri iu afrua oficerëve ndërsa ata mbërritën në vendngjarje dhe “u përdorën armë zjarri”.
Ajo tha se autori “vdiq në spital” nga plagët me armë zjarri.
Natën e hapjes kryesisht paqësore
Nata e hapjes së Euro 2024 kaloi kryesisht në mënyrë paqësore.
Ka pasur shqetësime në prag të turneut se mund të ndodhë një sulm i madh.
Gjermania mundi Skocinë 5-1 në Allianz Arena në qytetin jugor gjerman të Mynihut.
Ndeshjet e Euro 2024 luhen në 10 stadiume, nga Hamburgu në veri të Gjermanisë deri në Mynih në jug deri më 14 korrik.