Kundërshtarët e ligjit për “agjentët e huaj”, që hyri në fuqi në Gjeorgji këtë muaj, thonë se nuk do ta respektojnë atë. Ata thonë se ligji, i cili kërkon që organizatat që marrin 20 për qind ose më shumë të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë të huaj, është i ngjashëm me një ligj në Rusi dhe synon të heshtë kritikët përpara zgjedhjeve të këtij viti.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tbilisi, organizatat që refuzojnë të zbatojnë këtë ligj mund të përballen me gjoba të rënda financiare.
Eka Gigauri drejton organizatën kundër korrupsionit Transparency International në Gjeorgji. Ajo është një figurë e urryer për qeverinë.
Fytyra e saj është përdorur në materiale propagandistike ku ajo akuzohet se është pasuruar me para të organizatave të huaja dhe do që të shesë vendin e saj, Gjeorgjinë.
“Personalisht nuk është aq e lehtë, por po mësohemi me gjëra të tilla. Në fund të fundit, e di se po luftoj për kauzën e duhur. Unë i shërbej vendit tim”, thotë ajo.
Organizata Transparency International, e cila merr fonde nga donatorë të huaj, përfshirë qeverinë amerikane dhe organizata private në Shtetet e Bashkuara, preket nga ligji i ri në Gjeorgji.
Sipas ligjit, çdo organizatë që merr më shumë se 20 për qind fonde të huaja duhet të regjistrohet si “agjent i huaj”. Kritikët e kanë krahasuar atë me një ligj të ngjashëm në Rusi.
“Ne nuk do të jetojmë sipas një ligji rus këtu. Prandaj ne nuk do të regjistrohemi. Dhe ky është vendimi i çdo personi që punon për Transparency International. Kjo është çështje dinjiteti për ne. Ne jemi patriotët e këtij vendi. I kemi shërbyer për shumë vite këtij vendi dhe njerëzve të tij. Nuk do të pranojmë të kalsifikohemi si ‘agjentë’ apo ‘spiunë’, që minojnë interesat e shtetit”, thotë aktivistja Eka Gigauri.
Sipas ligjit, organizatat e prekura që refuzojnë të regjistrohen si agjentë të huaj do të gjobiten fillimisht me rreth 9300 dollarë amerikanë, e më pas do të gjobiten me rreth 7500 dollarë në muaj për mosrespektim të këtij ligji.
Ata gjithashtu përballen me ngrirjen e pasurive të tyre.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” këmbëngul se ligji për agjentët e huaj është i nevojshëm për të siguruar transparencë.
Por kundërshtarët thonë se qëllimi i qeverisë është kufizimi i llogaridhënies dhe kritikave ndaj qeverisë përpara zgjedhjeve të tetorit.
Lika Zakashvili është kryeredaktore e portalit “Publika Media”, që gjithashu ka refuzuar të regjistrohet si “agjent i huaj”.
“Për mua, pjesa më e papranueshme është emërtimi ‘agjent i huaj’. Ligji synon ta bëjë të pamundur punën tonë këtu. Qëllimi i dytë i përgjithshëm i këtij ligji është djallëzimi i botës perëndimore”, thoë ajo.
Ligji i ri u jep autoriteteve kompetenca të gjera hetimore kundër organizatave dhe individëve. Aka Zarkua drejton një organizatë joqeveritare, që monitoron shpenzimet e qeverisë.
“Ligji na detyron të dorëzojmë të gjitha shpenzimet financiare, të gjitha informacionet personale dhe ato që lidhen me shpenzimet dhe komunikimet private”, thotë drejtuesi i Qendrës së Monitorimit të Qeverisjes, Aka Zarkua.
Disa organizata po përpiqen të gjejnë mënyra për të shmangur zbatimin e ligjit, përfshirë regjistrimin në vende të tjera evropiane.
“E ardhmja jonë, veprimet tona të ardhshme, do të varen nga rezultati i zgjedhjeve. Mund të jetë një botë shumë e ndryshme pas 26 tetorit”, thotë Aka Zarkua nga Qendra e Monitorimit të Qeverisjes.
Ligji për agjentët e huaj ka shkaktuar një betejë të qartë politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme të tetorit. Kjo nuk është më një luftë për një ligj të vetëm, por për të ardhmen e vetë Gjeorgjisë./VOA