Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve. Mijëra besimtarë u mblodhën sot në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00.
Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, teksa uroi besimtarët, theksoi se shpresonte që kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për më shumë dashuri me njëri-tjetrin.
Gjithashtu dhe besimtarët myslimane në qytetin e Korçës i janë drejtuar xhamisë së vjetër historike Iljaz Bej Mirahori për të falur namazin e Kurban Bajramit.
Ceremonia filloi rreth orës 06:00 me ligjërata dhe më pas programi vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit.
Edhe besimtarët myslimanë në Lushnje kanë falur Namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të qytetit. Faljen e namazit të Kurban Bajramit e ka drejtuar imami i xhamisë së Lushnjës Alban Puka.
Ashtu si dhe në qytetet e tjera edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit.
Gjithashtu edhe besimtarët myslimanë në Fier kanë falur që në orët e para të mëngjesit të sotëm namazin e Kurban Bajramit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve.
Në Elbasan mijëra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin në Sheshin “Gensher” në qendër të Elbasanit. Myftiu i këtij qyteti Agim Duka gjatë fjalës përshëndetëse para besimtarëve përcolli mesazhe të paqes, vëllazërisë, tolerancës dhe solidaritet më të vobektit dhe ata që kanë më shumë nevojë.