Qyteti i lashtë Maja i Chichén Itzá, i njohur prej kohësh si një vend i sakrificave njerëzore, ka magjepsur miliona vizitorë nga e gjithë bota.
Por hulumtimi i ri zbulon më shumë të dhëna për identitetin e disa prej viktimave të reja që u varrosën në vendin në juglindje të Meksikës si dhe të afërmve të tyre që janë ende gjallë sot.
Studiuesit analizuan gjenomet nga eshtrat e dhjetëra fëmijëve të gjetur në një vend varrimi masiv pranë Cenotës së Shenjtë, një gropë e madhe në qendrën ceremoniale të Chichén Itzá ku ishin zbuluar më parë sakrifica të tjera njerëzore dhe zbuluan se të gjithë individët ishin meshkuj dhe
Një numër i konsiderueshëm ishin të lidhur ngushtë – duke përfshirë dy grupe binjakësh identikë – një praktikë që shkencëtarët besojnë se ishte e lidhur me rëndësinë e binjakëve në mitologjinë e lashtë Majane.
Gjetjet bien ndesh me besimin popullor se gratë dhe vajzat e reja përbënin shumicën e atyre që u flijuan në vend.
Rodrigo Barquera, autori kryesor i një punimi të ri mbi hulumtimin, tha në një intervistë se gjetjet ishin “një zbulim”. Ishte shembulli i parë i një vendi të varrosjes së fëmijëve vetëm meshkuj në Meksikë, Mesoamerikë, ose midis kulturave Maja, tha Barquera, një studiues në Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig, Gjermani.
Hulumtimi, i botuar këtë javë në revistën Nature, u përqendrua në një analizë të disa prej më shumë se 100 mbetjeve të fëmijëve të gjetura nga një cisternë afër Cenotës gjatë ndërtimit të një piste të re aeroporti midis prillit dhe qershorit 1967.
Cisterna, ose chultún, janë lidhur prej kohësh me ujin, shiun dhe sakrificën e fëmijëve, sipas studiuesve, dhe strukturat nëntokësore besohej se ishin hyrje në botën e nëndheshme.
Për t’u siguruar që asnjë prej mbetjeve nuk ishte testuar shumë herë, ekipi mblodhi një kockë specifike nga secila kafkë – por duke qenë se kjo nuk ishte e paprekur në të gjitha mbetjet, vetëm 64 u analizuan. Studiuesit më pas përdorën datimin me radiokarbon për të vërtetuar se fëmijët – gjysma e të cilëve ishin midis 3 dhe 6 vjeç – vdiqën gjatë një periudhe prej 500 vjetësh, deri në mesin e shekullit të 12-të.
Përveç dy palëve të binjakëve identikë, ekipi zbuloi se një e katërta e mbetjeve të testuara kishte një të afërm të ngushtë në cisternë, “duke sugjeruar se fëmijët e sakrifikuar mund të ishin përzgjedhur në mënyrë specifike për lidhjen e tyre të ngushtë biologjike”.
Për shkak të faktit se jo të gjitha mbetjet mund të testoheshin, studiuesit thonë se numri i fëmijëve të gjetur në vend që ishin të lidhur mund të ishte edhe më i lartë.
Ata zbuluan gjithashtu se fëmijët e lidhur ngushtë kishin konsumuar dieta të ngjashme. Kjo, së bashku me faktin se fëmijët ishin të një moshe të ngjashme kur vdiqën, tregon se ata ishin përzgjedhur për flijim në të njëjtin ritual, sipas gjetjeve.
Studiuesit e lidhën praktikën e sakrifikimit të të afërmve të fëmijëve me një tekst të shenjtë Maja, Popol Vuh, i cili jepte hollësi mbi sakrificën e një çifti binjakësh pasi humbën në një lojë me top. Sipas tekstit, një prej djemve binjakë të njërit prej vëllezërve, të njohur si Binjakët Hero, vijoi të hakmerrej për të afërmit e vrarë.
“Në fillim të shekullit të 20-të tregohen tregime të rreme të popullarizuara të grave dhe vajzave të reja që sakrifikoheshin në vend,” tha në një deklaratë Christina Ëarinner, një bashkëautore e raportit dhe profesoreshë e antropologjisë në Universitetin e Harvardit.
“Ky studim, i kryer si një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, e përmbys këtë histori dhe zbulon lidhjet e thella midis sakrificës rituale dhe cikleve të vdekjes dhe rilindjes njerëzore të përshkruara në tekstet e shenjta të Majave.”
Qyteti antik i Chichén Itzá, shtëpia e një prej piramidave më të mëdha nga periudha Maja, u ngrit për herë të parë në vitin 600 pas Krishtit. Sipas UNESCO-s, vendi filloi të rrënohej në shekullin e 15-të – por studiuesit thonë se mbeti një vend i njohur për Pelegrinët Maja në periudhën koloniale dhe më gjerë. Ai u caktua si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 1988.
Barquera pranoi se mund të ishte e vështirë të kuptosh se mbetjet në vend u përkisnin “fëmijëve dhe se ata u sakrifikuan”.
“Por duhet të kemi parasysh se vdekja është një koncept krejtësisht i ndryshëm për kulturat mezoamerikane. Vdekja nuk shihet si një gjë e keqe. Sigurisht, sipas këndvështrimit tonë, është e gabuar. Por në atë kohë, dhe sipas miteve dhe besimeve të tyre, ajo që ata po bënin konsiderohej e saktë, kështu që ne nuk mund të gjykojmë se çfarë bënë ata sipas këndvështrimit tonë modern.”
Hulumtimi nuk u kufizua në zbulimin e historisë së lashtë të Chichén Itzá. Studimi krahasoi gjithashtu ADN-në e kafkave me mostrat e gjakut të marra nga 68 banorë të ditëve moderne të Tixcacaltuyub, një qytet rreth 25 milje nga vendi antik, dhe zbuloi se ato kishin lidhje me fëmijët e gjetur në cisternë, duke treguar se fëmijët, mbetjet e të cilëve u gjetën atje ishin marrë nga komunitetet e lashta Maja aty pranë.
Barquera tha se banorët e Tixcacaltuyub ishin “me të vërtetë të lumtur” kur dëgjuan për lidhjen e tyre me vendin dhe thanë se besonin se gjetjet do t’i ndihmonin ata të komunikonin më mirë me turistët dhe të hapnin biseda rreth barazisë.
Vitin e kaluar, vendi që dikur u emërua si një nga shtatë mrekullitë moderne të botës, tërhoqi një rekord prej 2.3 milionë vizitorësh.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post