Vendosni fjalën kyçe....

7 vite KPK/ 768 vendime në total, 349 konfirmime dhe 3 vendime për pezullim nga detyra


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shënon sot 7 vjetorin e konstituimit të tij dhe vitin e fundit të mandatit kushtetues.

Komisioni nisi punën më 17 qershor 2017, ku anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nisën punën për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë, ndërsa sot, më 17 qershor 2024 numëron në total 768  vendime,  prej të cilave 349 konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim nga detyra, 110 vendime për  pushim/ndërprerje procesi, 50 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime për pezullim nga detyra.

Komisionit i kanë mbetur për të rivlerësuar vetëm 37 subjekte duke përmbyllur me sukses  listën e plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

“Gjatë këtyre 7 viteve, 12 anëtarët e Komisionit në bashkëpunim me njësinë ligjore dhe stafin administrativ kanë kryer një proces të cilin nuk e konsideruan vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe  përgjegjësi e lartë personale për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie, të pavarur e të paanshëm. Ndërsa mandati kushtetues po i afrohet përmbylljes, në këtë datë të shënuar, KPK  gjen rastin të falenderojë partnerët ndërkombëtarë, Kuvendin, mediat dhe gjithë bashkëpunëtorët e këtij rrugëtimi që jo vetëm shërbeu për vettingun e sistemit të drejtësisë, por  edhe avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian”, thotë KPK.