Vendosni fjalën kyçe....

Putin në Korenë e Veriut për vizitën e parë zyrtare në 24 vjet


Presidenti rus Putin zbarkoi të martën në kryeqytetin e Koresë së Veriut Phenian për vizitën e tij të parë në vend në 24 vjet, tha Kremlini.

Presidenti rus u ftua nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili “personalisht u takua me Vladimir Putin në aeroportin e Phenianit”, tha Kremlini në një deklaratë.

Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, dy krerët u nisën nga aeroporti me të njëjtën makinë, shtoi deklarata.

Yury Ushakov, një ndihmës i Putinit, u kishte thënë gazetarëve të hënën se vizita do zgjaste dy ditë, ndërsa takimet kryesore do ndodhin në ditën e dytë.

Një ceremoni zyrtare e mirëseardhjes e ndjekur nga bisedimet pritet të zhvillohet në rezidencën e Kim më vonë të mërkurën, sipas Ushakov.

Bisedimet do zhvillohen në dy raunde – në formate të kufizuara dhe të zgjeruara – me dy krerët që do trajtojnë çështjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në një bisedë të veçantë jozyrtare gjatë shëtitjes nëpër rezidencën e Kim.

Rusia dhe Koreja e Veriut planifikojnë të nënshkruajnë disa dokumente pas bisedimeve, me një deklaratë të përbashkët nga Putin dhe Kim, tha Ushakov.

Ngjarjet ceremoniale do zhvillohen gjithashtu, duke përfshirë një vizitë në një monument kushtuar ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe që vdiqën ndërsa luftonin forcat japoneze në Kore gjatë Luftës së Dytë Botërore, së bashku me një koncert.

Putin dhe Kim do udhëtojnë së bashku në aeroport pas një pritjeje zyrtare shtetërore me fjalime të shkëmbyera nga të dy udhëheqësit.

Rrugës do ndalen pranë kishës së vetme ortodokse në Korenë e Veriut, Katedrales së Trinisë së Shenjtë.

Hera e fundit që Putin e vizitoi Korenë e Veriut ishte në vitin 2000, kur vendi ishte ende nën udhëheqjen e Kim Jong Il, babait të kreut të tanishëm Kim Jong Un.