Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi mbrëmjen e sotme se vendimi i gjykatës për t’i dhënë vulën atij ka rezultuar në ribashkim me qindra anëtarë e drejtues lokalë.
Berisha tha se edhe deputetë që qëndronin pranë Bashës tashmë i janë bashkuar grupimit të tij.
“Të dashur miq, gjatë këtyre ditëve, me qindra e qindra anëtarë, drejtues lokalë, deputetë, pas vendimit të gjykatës janë bashkuar me ne.
I përshëndes në emër tuaj në mënyrë të përzemërt.
Përsëri them atë që deklarova para jush ditë më parë, mirë se erdhët në shtëpinë tuaj.
Betejën e madhe e kemi përpara dhe atë betejë do ta fitojmë së bashku, do ta bëjmë së bashku,
Misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së re të bazuar mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve do ta përmbushim së bashku. Të bashkuar në diversitet. Të bashkuar në të vërteta. Të bashkuar në mision për shqiptarët që të votojnë të lirë. Për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!”-deklaroi Berisha