Vendosni fjalën kyçe....

Konservatorët në Mbretërinë e Bashkuar drejt humbjes katastrofike – Sondazhet


Partia Konservatore e Mbretërisë së Bashkuar është drejt një humbjeje historike në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut, duke i dhënë fund mandatit të tyre 14-vjeçar në qeveri, sipas tre sondazheve kryesore të publikuara të mërkurën.

Një sondazh nga Savanta dhe Elektoral Calculus për Telegraph parashikon që konservatorët të marrin vetëm 53 vende nga 650 në parlament. Jo vetëm që kjo do shënonte një nivel më të ulët të të gjitha kohërave për partinë, por sondazhi parashikoi se udhëheqësi dhe kryeministri i konservatorëve, Rishi Sunak, mund të humbiste vendin e tij në Richmond dhe Northallerton, një goditje e paparë për një udhëheqës në detyrë.

Një sondazh tjetër për podcastin e News Agents tregoi se konservatorët po shkojnë drejt 155 vendeve. Pavarësisht se ishte më optimisti për konservatorët nga të tre sondazhet, do nënkuptonte sërish më pak se gjysmën e 344 deputetëve të tanishëm dhe edhe më pak vende se sa kishin në 1997, kur partia Konservatore humbi udhëheqjen ndaj Laburistëve.

Ndërkohë, YouGov ka parashikuar se konservatorët do zbresin në 108 vende. Të tre sondazhet parashikonin se Partia Konservatore do shihte një rezultat më të keq se rezultati i tyre katastrofik i vitit 1906, që solli një fitore dërrmuese të Liberalëve.

Të gjitha sondazhet parashikojnë se Liberal Demokratët do gëzojnë rezultatet e tyre më të mira në vite. YouGov parashikon se Liberal Demokratët do marrin 67 vende, më shumë se sa kanë pasur ndonjëherë.

Të tre sondazhet sugjeruan se kreu i Partisë Laburiste Sir Keir Starmer është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministri i ardhshëm dhe të tre parashikuan që partia e tij të fitonte më shumë se 400 vende, duke tejkaluar fitoren tingëlluese të partisë në 1997.