Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar sot një takim me mjekë të përgjithshëm të cilët kanë mirëpritur nismën e MSHMS-së dhe Fakultetit të Mjekësisë për specializimet në “Mjekë Familje” dhe “Mjekë Urgjence”.
Specializimet në këto dy drejtime prioritare synon të adresojë nevojat urgjente për specialistë në këto fusha, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe rritur aksesin e pacientëve në kujdesin mjekësor pranë vendbanimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “në total kishim 50 kuota, pra 30 për mjekë familje dhe 20 mjekë urgjence. Ndërkohë që nga raundi i parë patëm aplikime dhe vendet u plotësuan. Raundi i dytë i përket 13 specialistëve urgjence dhe 9 mjekësi familjare”.
Koçiu bëri të ditur se për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë do të përfitojnë një tjetër rritje page duke nisur nga muaji korrik.
“Me rritjet e reja të pagave në korrik do të kemi rritje akoma më të madhe sa i përket mjekëve të përgjithshëm. Një rritje prej 20 mijë lekë mbi pagën aktuale dhe infermierëve me 15 mijë lekë mbi pagën aktuale. Janë afërsisht 20 mijë punonjës të sistemit shëndetësor të cilët do të përfitojnë nga kjo rritje e dytë në korrik”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.