Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Ukrainës se mund të përdorë armë të furnizuara nga Amerika për të goditur çdo forcë ruse që sulmon nga përtej kufirit, jo vetëm ato në rajonin afër Kharkivit, sipas zyrtarëve amerikanë, shkruan Politico.
Ndryshimi delikat në mesazhe, për të cilin zyrtarët këmbëngulin se nuk është një ndryshim në politikë, vjen vetëm disa javë pasi SHBA-ja i dha në heshtje Kievit dritën jeshile për të goditur brenda Rusisë në përgjigje të një sulmi ndërkufitar në qytetin e Kharkiv.
Në atë kohë, zyrtarët amerikanë theksuan se politika ishte e kufizuar në rajonin e Kharkiv, ndër shumë kufizimet e tjera.
Forcat ukrainase që atëherë kanë përdorur armë amerikane për të goditur Rusinë të paktën një herë, duke shkatërruar objektiva në qytetin e Belgorodit dhe kanë arritur të frenojnë sulmin rus.
Por zyrtarë ukrainas dhe të tjerë evropianë i kanë bërë presion SHBA-së që të lirojë edhe më tej kufizimet e saj, duke lejuar Ukrainën të godasë kudo brenda Rusisë.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan i tha PBS-së të martën se marrëveshja me Ukrainën për përdorimin e armëve amerikane në Rusi shtrihet “kudo ku forcat ruse po kalojnë kufirin për të provuar të marrin një territor shtesë ukrainas”.
Rusia ditët e fundit ka treguar se së shpejti mund të lëvizë në qytetin verilindor Sumy, që është gjithashtu afër kufirit rus. Nëse kjo ndodh, politika do zbatohej edhe atje, tha Sullivan.
“Kjo nuk ka të bëjë me gjeografinë. Bëhet fjalë për prakticitet. Nëse Rusia është duke sulmuar ose gati të sulmojë nga territori i saj Ukrainën, ka kuptim të lejojmë Ukrainën të kundërpërgjigjet kundër forcave që po e godasin atë nga përtej kufirit,” tha Sullivan.
Dy zyrtarë amerikanë, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur çiltërisht rreth diskutimeve, pohuan se lejimi i Ukrainës për të goditur brenda Rusisë në përgjigje të zjarrit nga kudo përtej kufirit, nuk është një ndryshim në politikë që nga marrja e vendimit për Kharkiv.
Fillimisht, masa u karakterizua vetëm në kontekstin e sulmit të vijueshëm në Kharkiv, por kjo nuk përjashtoi mundësinë e kundërpërgjigjes kundër sulmeve të tjera ndërkufitare, tha një nga zyrtarët.
Megjithatë, gjuha e Sullivan është dukshëm e ndryshme nga ajo që zyrtarët amerikanë thanë në maj kur u shpjegua hollësisht politika e re.
Në atë kohë, një zyrtar i lartë amerikan tha: “Presidenti kohët e fundit udhëzoi ekipin e tij për të siguruar që Ukraina të jetë në gjendje të përdorë armët amerikane për qëllime kundër zjarrit rus në Kharkiv, në mënyrë që Ukraina të mund t’i kundërpërgjigjet forcace ruse që i godasin ose përgatiten për t’i goditur ato.”
Politika e moslejimit të sulmeve me rreze të gjatë brenda Rusisë “nuk ka ndryshuar”, theksoi zyrtari.