Vendosni fjalën kyçe....

Stano: Kosova ende nuk e ka dorëzuar një raport për sulmin në Banjskë


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, në një konferencë për media edhe njëherë i është rikthyer sulmit terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Stano tha se “autoritetet e Kosovës ende nuk kanë dorëzuar një raport lidhur me hetimet në Banjskë”.

“Në lidhje me hetimin. Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, tha Stano.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, theksoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Klan Kosova