Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se Izraeli është “i përkushtuar” ndaj propozimit të marrëveshjes të përshkruar nga presidenti amerikan Joe Biden për një armëpushim në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj propozimit izraelit që miratoi Presidenti Biden ” tha Netanyahu të hënën gjatë një seance të posaçme në parlament të thirrur nga opozita, duke vënë në dukje se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar.
Biden paraqiti fillimisht propozimin e marrëveshjes për t’i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm në fund të majit. Vërejtjet e Netanyahut shënuan herën e parë që pala izraelite konfirmoi se Izraeli e ka miratuar dhe mbështetur propozimin, njoftuan mediat e huaja.
Netanyahu tha se Izraeli nuk do t’i japë fund konfliktit “derisa të kthejmë të gjithë pengjet, të 120 prej tyre të gjallët dhe të rënët” dhe derisa Hamasi të “eliminohet” dhe banorët në jug dhe në veri të mund të kthehen të sigurtë në shtëpitë e tyre.
Izraeli ka kryer një ofensivë masive në Rripin e Gazës në shenjë hakmarrjeje për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, gjatë së cilës u vranë rreth 1200 njerëz dhe rreth 250 u morën peng.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NDTV