Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri përfshin kodrat e Vainit në Karbunarë, shkrumbohen 5 ha ullinj dhe shkurre


Një zjarr ka përfshirë në orët e para të mëngjesit kodrat e Vainit në Karbunarë në bashkinë e Lushnjes duke shkrumbuar kodrat me ullinj drufrutore dhe shkurre.

Mësohet se në vendngjarje kanë shkuar dy zjarrfikëset e bashkisë Lushnjë dhe efektivët e policisë. Pavarësisht ndërhyrjes së banorëve të zonës, efektivëve të sektorit zjarrfikës dhe të policisë, nga flakët e zjarrit janë djegur rreth 5 hektarë ullinj drufrutorë dhe shkurre.

Ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e pamundur për mungesë të rrugëve dhe terrenit të thyer kodrinor. Me mjete rrethanore dhe pompat e shpinës është bërë e mundur izolimi i flakëve për të mos rrezikuar banesat.

Përgjegjësi i sektorit të zjarrfikëses Lushnje, Xhezmi Metushi u bën apel fermerëve të tregojnë kujdes dhe të mos ndezin zjarre qoftë edhe për djegien e mbeturinave sepse me ligj është e ndaluar kategorikisht me vendim qeverie ndezja e zjarreve nga data 1 qershor e deri në 30 shtator.