Vendosni fjalën kyçe....

Dështon “grushti i shtetit” në Bolivi, arrestohet gjenerali (Video)


Ushtarët e armatosur rëndë në mjete të blinduara janë tërhequr nga sheshi qendror “Plaza Murillo” në kryeqytetin e Bolivisë, La Paz, pasi presidenti Luis Arce denoncoi atë që ai tha se ishte një përpjekje për grusht shteti kundër qeverisë së tij.

Një grup ushtarësh të udhëhequr nga komandanti i Forcave të Armatosura Gjenerali Juan Jose Zuniga pushtuan sheshin të mërkurën dhe hynë në pallatin presidencial.

Arce dënoi “mobilizimin e parregullt të disa njësive të Ushtrisë Boliviane” dhe shkarkoi Zuniga-n, duke e zëvendësuar atë me Jose Wilson Sanchez.

Sanchez më pas urdhëroi menjëherë trupat të largoheshin nga sheshi.

“I gjithë personeli që është mobilizuar në rrugë duhet të kthehet në njësitë e tyre,” tha komandanti i ri në fjalimin e tij të parë.

Sipas mediave boliviane, Zuniga është arrestuar dhe akuzuar për “terrorizëm dhe një kryengritje të armatosur kundër sigurisë dhe sovranitetit të shtetit”.

Arce më vonë u shfaq në ballkonin e pallatit presidencial, duke falenderuar mbështetësit e tij.

“Askush nuk mund të heqë demokracinë që kemi fituar në kutinë e votimit,” i tha presidenti turmës së ngazëllyer.

“Ne do vijojmë të punojmë për popullin bolivian.”

Menjëherë pasi ushtria u vendos në La Paz, mbështetësit e Arce dhe partisë në pushtet Lëvizja për Socializëm (MAS) dolën në rrugë, duke kërkuar që trupat të ktheheshin në kazermat e tyre. Shumë politikanë dhe zyrtarë denoncuan veprimet e ushtrisë, siç bëri BE dhe shumica e krerëve të Amerikës së Jugut.

“Ne i dënuam ngjarjet në Bolivi. Ushtria duhet t’i nënshtrohet pushtetit civil të zgjedhur në mënyrë të ligjshme,” tha Luis Almagro, udhëheqës i Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS).

Gjenerali Zuniga i ka justifikuar veprimet e tij duke pretenduar se donte të “rivendoste demokracinë” dhe të lironte “të gjithë të burgosurit politikë bolivianë”, duke përfshirë ish-presidenten e përkohshme Jeanine Anez dhe ish-guvernatorin e provincës Santa Cruz, Luis Fernando Camacho.

Anez po vuan një dënim me 10 vjet burg pasi u dënua për shkelje të Kushtetutës gjatë rrëzimit të presidentit të atëhershëm Evo Morales në vitin 2019.