Një zjarr i shkaktuar nga shpërthimi i baterive të litiumit përfshiu një fabrikë prodhimi pranë kryeqytetit Seul të Koresë së Jugut të hënën, duke vrarë 22 punëtorë emigrantë kryesisht kinezë dhe duke plagosur 8 të tjerë, thanë zyrtarët.
Zjarri filloi pasi bateritë shpërthyen ndërsa punëtorët po i ekzaminonin dhe paketonin në katin e dytë të fabrikës në qytetin Hëaseong, në jug të Seulit, rreth orës 10:30, thanë zyrtarët, duke cituar një dëshmitar. Ata thanë se po hetojnë shkakun e zjarrit.
Të vdekurit përfshinin 18 kinezë, dy koreano-jugorë dhe një shtetas të Laosit, tha zyrtari vendas i zjarrfikësve Kim Jin-young në një konferencë televizive. Ai tha se kombësia e njërit prej të vdekurve nuk mund të verifikohej menjëherë.
Në dekadat e fundit, shumë njerëz nga Kina, duke përfshirë koreanë etnikë, kanë emigruar në Korenë e Jugut për të kërkuar punë. Ashtu si emigrantët e tjerë të huaj nga vendet e Azisë Juglindore, ata shpesh përfundojnë në fabrika ose në punë fizike me pagë të ulët, të cilat shmangen nga koreano-jugorët më të pasur.
Kim tha se dy nga tetë të lënduarit janë në gjendje të rëndë.
Zjarri filloi në një nga ndërtesat e fabrikës në pronësi të prodhuesit të baterive, Aricell. Ai tha se autoritetet do hetojnë nëse sistemet e fikjes së zjarrit ishin në vend dhe nëse ato funksiononin.
Bateritë e rikarikueshme litium-jon janë të kudondodhura në mallrat e konsumit nga laptopët te celularët. Ato mund të mbsinxehen nëse dëmtohen, janë me defekt ose paketohen në mënyrë jo të duhur, duke çuar në zjarre dhe shpërthime dhe duke i bërë ato një rrezik për transporton ajror.
Videoja e incidentit tregoi katin e dytë të fabrikës duke u përfshirë nga flakët, rreth 15 sekonda pasi një sasi e vogël tymi i bardhë u pa që dilte nga një bateri, tha zyrtari i lartë i zjarrfikësve Jo Seon-ho në një konferencë më vonë të hënën.
Jo, duke cituar pamjet, tha se punëtorët në vend mobilizuan aparatet e zjarrit, por nuk arritën të shuanin zjarrin. Ata më vonë nxituan në një zonë ku nuk kishte dalje para se të thithnin tym toksik dhe të humbnin vetëdijen, tha ai. Zyrtarët e zjarrfikësve thanë se gjithsej 102 persona punonin në fabrikë në çastin e shpërthimit të zjarrit.