Vendosni fjalën kyçe....

“Do ndryshojmë Urdhrin e Mjekut, dënime të ashpra për ata që abuzojnë” – Ministrja Koçiu


Ministrja e Shëndetësisë Koçiu paralajmëroi sot ndryshime në ligjin e Urdhrit të Mjekut duke shtuar ndëshkimet dhe sanksionet që shkelin ligjin dhe shkelin normat dhe sjelljen e mjekëve ndaj pacientëve.

Ajo është kërkuar në interpelancë nga deputetët e PD-së ndërsa e nisi atë me skandalin te spitali Onkologjik, ku janë nën hetim shtatë mjekë e zyrtarë të spitalit si dhe një biznesmen privat.

“Do amendojmë ligjin për mjekët. Atyre do u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit nëse bëjnë sjellje e veprime që cenojnë figurën e mjekut dhe i trajtojnë pacientët si mall në treg. Do e sanksionojmë në ligj. Nuk mund të përbaltet çdo kush që e bën punë me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të lartë dh një grup mjekësh që e shkelin këtë nuk mund të zhbëjnë investime e bëra në shëndetësi nga qeveria. Unë jam e bindur që shumica e qytetarëve kanë përcoja të shëndetshme në marrjen e shërbimeve. Jo profesionistët do marrin në çdo kohë ndëshkimn e miratuar. Do iniciojmë ndryshime në ligjin e Urdhrit të Mjekut.” – tha Koçiu.

Mjeku Edmond Gashi dhe mjekja Alketa Pere janë paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme për masën e sigurisë. Ata dhe pesë të tjerë akuzohen se nuk u kanë ofuar shërbim pacientëve me kancer te Onkologjiku, se kanë krijuar radhë për t’i ridrejtuar ata te klinika private “Megis” si dhe përgjysmim të dozave të mejkimeve për t’i shitur më pas pjesën tjetër në farmaci private.