Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e larta zhvendosin fermerët drejt koshereve, prodhimi i mjaltit rritet me 87% në 5 vitet e fundit


Teksa numri i bagëtive po bie në shpejtësi, kosheret dhe prodhimi i mjaltit po përfshijnë gjithnjë e më shumë fermerë.

Rritja e kërkesës dhe për rrjedhojë edhe e çmimit ka bërë që një pjesë e fermerëve të zhvendosen drejt bletarisë.

Sipas të dhënave të INSTAT vitin e kaluar numri i koshereve u zgjerua me 8 për qind, ndërsa prodhimi i mjaltit 4.5 për qind në krahasim me vitin 2022. Në 10 vitet e fundit numri i koshereve dhe prodhimi i mjaltit thuajse është dyfishuar.

Në vitin 2023 në të gjithë vendin u numëruan rreth 519 mijë koshere ose 232 mijë (80 %) më shumë se në vitin 2014.

Në vitin 2023 në të gjithë vendin u prodhuan rreth 5,600 tonë mjaltë me rritje 87 për qind në krahasim me vitin 2014.

Të dhënat e INSTAT sipas bashkive tregojnë se numrin më të madh të koshereve e ka bashkia e Vlorës me mbi 23 mijë më 2023 ne krahasim me vetëm 4250 koshere në vitin 2018, me rritje 452%.

Fieri është bashkia e dytë me numrin e lartë të koshereve me mbi 15 mijë, me rritje 200% nga 2018-ta. Pasi Fierit, Bashkia e Tropojës renditet e treta në shkallë vendi për numrin e lartë të koshereve me rreth 15 mijë të tilla me rritje 205% që nga viti 2018. Bimësia e pasur dhe pyjet me gështenja kanë bërë që shumë fermerë të zhvendosen në bletari.

Mjalti i gështenjës së Tropojës është mjaft i kërkuar dhe i shitur me vlera të larta vit pas viti, deri në 2700 lekë për kilogram.

Çmimet e larta ka ndikuan në rritjen e investimeve në koshere të cilat po zgjeron viti pas viti. Fermerët gjithashtu janë duke thelluar njohuritë për mbarështimin e bletës, e cila me shumë se krah pune kërkon njohuri.

Ndërmjet 2028 dhe 2023 ulje e numrit të koshereve është shënuar në bashkitë e Belshit, Pogradecit, Vaut dhe Dejes dhe Dimalit.

Bleta, kërkon përkushtim dhe vëmendje, por jo lodhje fizike, teksa kontratat për shitjen e mjaltit sigurohen paraprakisht, thotë Fatmiri një bletar nga Tropoja. Pavarësisht se edhe prodhimi i mjaltit ka luhatje me sezone, kërkesa është e lartë.

Bletët nuk kërkojnë shumë lodhje fizike, përveç rasteve kur zhvendosen në kullota, por kërkojnë më shumë njohuri për mënyrën e trajtimit të sëmundjeve etj. Kjo punë në të shumtën e rasteve bëhet edhe nga pensionistë dhe mbi të gjitha, të jep edhe kënaqësi edhe fitime./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor