Vendosni fjalën kyçe....

Tanket izraelite përparojnë në zona në veri dhe jug të Gazës


Forcat izraelite depërtuan të dielën në lagjen Shejaia në pjesën veriore të Gazës, në pjesën perëndimore dhe qendrore në jug të qytetit Rafah, duke vrarë të paktën 6 palestinezë dhe shkatërruar disa shtëpi, thanë banorët.

Tanket izraelite, që hynë në Shejaia 4 ditë më parë, goditën disa shtëpi, duke i bllokuar familjet brenda, në pamundësi për t’u larguar, thanë banorët.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj në Shejaia kanë vrarë disa palestinezë të armatosur gjatë ditëve të fundit, kanë zbuluar armatime dhe kanë goditur infrastrukturën ushtarake. Të shtunën, autoritetet njoftuan për vdekjen e dy ushtarëve izraelitë në veri të Gazës.

Krahu i armatosur i Hamasit dhe aleati i tij, Xhihadi Islamik, njoftuan për luftime të ashpra në Shejajia edhe në Rafah, duke thënë se luftëtarët përdorën raketa anti-tank dhe bomba kundër forcave izraelite që vepronin në zonë.

Më shumë se 8 muaj që nga nisja e sulmeve ajorere dhe tokësore të Izraelit në Gazë, militantët vazhdojnë të kryejnë sulme ndaj forcave izraelite, duke vepruar në territore që ushtria izralite thotë se i ka vënë nën kontroll muaj më parë.

Deri më tani, përpjekjet e ndërmjetësueseve arabë, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara kanë dështuar që të bëjnë të mundur arritjen e një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Hamasi thotë se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës në Gazë dhe të çojë në tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Izraeli thotë se do të pranojë vetëm ndërprerje të përkohshme luftimesh derisa Hamasi, që qeveris Gazën që nga viti 2007, të jetë çrrenjosur plotësisht.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor, ku sipas të dhënave izraelite, luftëtarët palestinezë vranë 1200 persona dhe morën 250 pengje. Kundërofensiva izraelite deri tani ka lënë të vrarë rreth 38 000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë që kontrollohen nga Hamasi.Ministria nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëftarëve.

Më shumë se 300 ushtarë izraelite janë vrarë në Gazë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA