Vendosni fjalën kyçe....

Letërsia në zi, ndërron jetë shkrimtari i madh Ismail Kadare


Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare, shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Bëhet me dije se familjarët kanë njoftuar urgjencën orët e para të mëngjesit, por shkrimtari nuk është shpëtuar dot dhe ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

 

KUSH ISHTE KADARE

Ismail Kadare lindi në 28 janar të 1936. Ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Kadare nisi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015.

Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist. Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha. Është parë njëherësh si ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor, por edhe si nacionalist mendjengushtë.

Disa akademikë janë përsiatur rreth përshkrimit që shkrimtari i ka bërë Shqipërisë nën Perandorinë Osmane si të ndikuar nga prodhimi artistik Orientalist i kohës së regjimit, e përkufizojnë si eurocentrist, esencialist, fundamentalist dhe anti-modernist, duke u bërë shkak i rritjes së islamofobisë dhe racizmit. Në Shqipëri shihet si përfaqësuesi i mitologjisë anti-myslimane.

 

Biografi

Vitet e hershme

U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021).

Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati ka punuar si postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.

Ismail Kadare — Restless Books

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare.

Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur.Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë.

Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare.

Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.

Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht. Në institutin Gorki, vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”.

U detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare,por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare - Euronews Albania