Vendosni fjalën kyçe....

Hapet ekspozita për gjenocidin e Srebrenicës në selinë e OKB-së në Nju Jork


Një ekspozitë për gjenocidin në Srebrenicë është hapur në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork të martën, njoftoi Qendra Përkujtimore e Srebrenicës. 

Ekspozita përfshin artefakte, fotografi dhe video-dëshmi të të mbijetuarve. 

“U investuan përpjekje dhe përkushtim i madh për ta bërë këtë ekspozitë realitet dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për ekipin tonë që punoi pa u lodhur në këtë projekt”, shkroi Qendra Memoriale e Srebrenicës në rrjetin social X. 

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. 

Eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, i cili u krye në vitin 1995, janë gati për varrim në funeralin kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit. 

Viktima më e re që është varrosur është 17-vjeçari Beriz Mujiç, i cili u vra në korrik të vitit 1995 në Bratunac. Eshtrat e tij u zhvarrosën në maj të vitit 2023 në zonën e komunës së Srebrenicës. 

Viktima më e vjetër që do të varroset në Potoçari më 11 korrik është 68-vjeçari Hamed Saliç. Eshtrat e tij u zhvarrosën në Zhepa në maj të vitit 2014. 

Në Qendrën Përkujtimore në Tuzlla gjenden eshtrat e 11 viktimave të gjenocidit, të identifikuar deri më tani, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrimin e tyre, kryesisht për shkak të paplotësimit të trupave të këtyre viktimave. 

Deri më tani në Qendrën Memoriale të Potoçarit janë varrosur 6.752 viktima të gjenocidit. 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. 

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. 

Për gjenocidin e kryer, deri më tani, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. 

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç./REL