Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Reggio Emilia, u arrestua nga policia e Bolonjës mëngjesin e 1 korrikut, me akuzën e trafikut dhe posedimit të narkotikëve. Ai u kap me 10 kg kokainë, që e kishte marrë në Bari.
Pas hetimeve të mëtejshme, të kryera në kohë reale nga Span Ente Autostrade, operatorët regjistruan daljen nga autostrada A14 të makinës që drejtohej nga i dyshuari, i cili hyri në kabinën e pagesës Bari Nord rreth orës 7:40 të mëngjesit. E njëjta makinë, rreth orës 8:30, kaloi sërish për t’u nisur drejt Italisë veriore, me Bolonjën si destinacion të mundshëm përfundimtar.
Nisur nga gjetjet, oficerët organizuan një shërbim kërkimi përgjatë A14, duke filluar nga Rimini në drejtim të Bolonjës. Rreth orës 14:20, makina fillimisht u pa pranë Castel San Pietro Terme dhe më pas u ndal në kabinën e pagesës së autostradës Bologna Fiera.
Gjatë kontrollit të policisë, shoferi i makinës tregoi dukshëm nervozizëm dhe vështirësi për t’iu përgjigjur pyetjeve, edhe ato më të thjeshtat.